Mjekësia vijon të jetë një nga drejtimet më tërheqëse për maturantët me rezultate të larta në Shqipëri.
Sipas të dhënave të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Mjekësia e Përgjithshme në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, kryeson listën e programeve të studimit me numrin më të madh të studentëve të regjistruar me notë mesatare nga 9.50 deri në 10 për vitin akademik 2025-2026.
Konkretisht, në këtë program janë regjistruar 436 studentë me rezultate ekselente, një diferencë e konsiderueshme krahasuar me programet e tjera të renditura.
Në vendin e dytë pozicionohet Mjekësia në gjuhën angleze, në një universitet privat në vend, me 127 studentë, ndërsa vendin e tretë e mban Inxhinieria Informatike në Universitetin Politeknik të Tiranës, me 126 studentë.
Interes i lartë vihet re edhe për Stomatologjinë në Universitetin e Mjekësisë, ku janë regjistruar 120 studentë me mesatare nga 9.50 deri në 10. I njëjti numër regjistrimesh evidentohet edhe në Inxhinierinë e Ndërtimit pranë Universitetit Politeknik të Tiranës.
Ndërkohë, Farmacia në Universitetin e Mjekësisë renditet në vendin e gjashtë, me 110 studentë të kësaj kategorie. Lista vijon me dy programe të Universitetit Politeknik të Tiranës, Inxhinieria Kompjuterike diplomë e dyfishtë dhe Inxhinieria e Sistemeve Elektronike diplomë e dyfishtë, secila me nga 24 studentë.
Në fund të renditjes pozicionohet Inxhinieria Elektronike dhe Komunikimi Dixhital në një tjetër universitet privat, me 16 studentë të regjistruar me mesatare nga 9.50 deri në 10.
Në total, në nëntë programet e paraqitura në këtë renditje rezultojnë 1,103 regjistrime të studentëve me rezultate të larta. Shifrat evidentojnë interesin e kësaj kategorie maturantësh për degët e mjekësisë dhe inxhinierisë, të cilat dominojnë listën e programeve me më shumë studentë ekselentë.











