Italia ka shprehur shqetësim për rrezikun që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të zgjerohet në Mesdhe, pas sulmit ndaj një anijeje ruse në portin e Bengazit, në Libinë lindore. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, deklaroi se zhvillimet janë veçanërisht shqetësuese, pasi konflikti mund të zhvillohet vetëm disa qindra kilometra larg territorit italian. Ai paralajmëroi se destabilizimi i Libisë do të ishte i rrezikshëm, në një kohë kur po përpiqen të ruajnë stabilitetin e vendit.
Tajani tha se gjatë periudhave kur nisin përpjekjet për negociata paqeje, shpesh shtohen edhe aktivitetet ushtarake, pasi palët përpiqen të forcojnë pozicionet e tyre përpara marrëveshjeve të mundshme. Ai theksoi se prania ruse në Mesdhe duhet të monitorohet nga afër, ndërsa siguria dhe liria e lundrimit mbeten prioritete për Italinë.
Paralajmërimi i Romës vjen në një kohë kur sulmet ndaj objektivave ruse po shtrihen përtej Detit të Zi, duke rritur shqetësimet për sigurinë e porteve, rrugëve detare dhe infrastrukturës në Afrikën e Veriut. Italia kërkon që Mesdheu të mos shndërrohet në një tjetër arenë të konfliktit, ndërsa diplomacia ndërkombëtare përpiqet të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës.











