Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë gjatë fjalës së tij në Kuvend se projektbuxheti dhe paketa e re fiskale rëndojnë më tej qytetarët shqiptarë, duke paralajmëruar rritje të çmimeve dhe taksave.
Berisha e cilësoi buxhetin si “buxheti i vjedhjes”, ndërsa hodhi akuza ndaj mazhorancës për korrupsion dhe mungesë legjitimiteti. Ai iu referua gjithashtu raportit të Bashkimit Evropian dhe pretendimeve për lidhje mes zyrtarëve të lartë dhe grupeve kriminale.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së përmendi edhe deklaratat e Suel Çelës, i cili, sipas Berishës, ka pretenduar se paguan rrogat e ministrave.
“Ju mblidheni këtu si banda e Lalzit. A e kuptoni ju se çfarë përshtypje keni krijuar te shqiptarët? Ju nuk keni asnjë të drejtë morale të merreni me buxhetin. Ju nuk keni legjitimitet”, deklaroi Berisha.
Ai u ndal edhe te gjendja ekonomike e qytetarëve, duke iu referuar të dhënave të Eurostat-it. Sipas tij, pavarësisht rritjes së të ardhurave të raportuara, varfëria në Shqipëri është shtuar.
Berisha pretendoi se niveli i çmimeve në Shqipëri është më i lartë se mesatarja evropiane dhe e krahasoi situatën me Maqedoninë e Veriut, duke argumentuar se qytetarët shqiptarë kanë fuqi më të ulët blerëse.
Në përfundim, kreu i opozitës kritikoi paketën fiskale, duke u shprehur se ajo do të sjellë një tjetër rritje të barrës ekonomike për qytetarët dhe bizneset.
“10 miliardë vjedhje me paketën fiskale të ndëshkimit të shqiptarëve”, u shpreh Berisha nga foltorja e Kuvendit.











