Barcelona po kërkon përforcime në mbrojtje për merkaton e janarit, me Deco që ka nisur të shqyrtojë disa alternativa pas problemeve të fundit në repartin defensiv.
Dëmtimet e Koundé, Eric García dhe Christensen, së bashku me disa dobësi të shfaqura në ndeshjet e mëdha, kanë bindur drejtuesit se skuadra mund të ketë nevojë për një tjetër qendërmbrojtës.
Hansi Flick e ka pranuar publikisht se, nëse krijohet mundësia, Barcelona do të tentojë një lëvizje në janar.
Sipas AS, katalanasit kanë pyetur më herët Manchester Cityn për situatën e Josko Gvardiol. Kroati konsiderohet një profil ideal për shkak se është këmbëmajtë dhe mund të luajë edhe si mbrojtës i majtë, por transferimi i tij aktualisht duket shumë i vështirë.
Në listë është rikthyer edhe Jonathan Tah. Sky Sports Germany e ka lidhur sërish mbrojtësin me Barcelonën, por edhe largimi i tij nga Bayern Munich konsiderohet një operacion i komplikuar.
Problemi kryesor mbetet situata financiare. Sipas La Vanguardia, Barcelona do të ketë shumë pak hapësirë për të regjistruar afrime të reja pa realizuar më parë ndonjë largim në janar.
Deco po shqyrton edhe alternativa të tjera, ndërsa klubi kërkon një lojtar me eksperiencë që mund të ketë ndikim të menjëhershëm.
Pas largimit të Iñigo Martínez, Barcelona vazhdon të kërkojë profilin e duhur për të forcuar qendrën e mbrojtjes, ndërsa janari mund të sjellë një tjetër lëvizje surprizë nga Deco.











