Gareth Bale po hyn gjithnjë e më seriozisht në botën e investimeve sportive. Ish-ylli i Real Madridit është pjesë e Juggernaut Diversified Sports, një platformë investimesh e krijuar së bashku me financierin amerikan John Shulman dhe Juggernaut Capital Partners.
Tashmë grupi është lidhur me një nga operacionet më të mëdha të futbollit spanjoll: blerjen e Sevillas.
Sipas raportimeve të fundit në Spanjë, fondi i lidhur me Bale po analizon mundësinë për të marrë deri në 85% të aksioneve të klubit andaluzian, në një operacion që e vlerëson Sevillan rreth 500 milionë euro. Megjithatë, marrëveshja nuk është mbyllur dhe procesi mbetet në fazën e ofertave dhe negociatave.
Por kush është John Shulman?
Shulman është themeluesi dhe partneri menaxhues i Juggernaut Capital Partners, një kompani amerikane e private equity. Në qershor 2026, ai dhe Bale lançuan Juggernaut Diversified Sports, me synimin për të investuar në klube, liga dhe projekte sportive në Europë dhe Amerikën e Veriut.
Bale sjell eksperiencën nga futbolli i nivelit më të lartë, ndërsa Shulman pjesën financiare dhe të investimeve.
Ish-futbollisti uellsian kishte tentuar më parë të përfshihej edhe në blerjen e Cardiff City dhe e ka bërë të qartë se synimi i tij është të gjejë klubin e duhur për të investuar.
Sevilla duket se është tashmë mundësia më konkrete.
Pas dështimit të negociatave të mëparshme me grupin e lidhur me Sergio Ramos, klubi spanjoll vazhdon të kërkojë investitorë, ndërsa Juggernaut është një nga grupet që po shqyrton marrjen e kontrollit të shumicës së aksioneve.
Nëse operacioni realizohet, Bale do të kalonte nga një prej figurave më të njohura të Real Madridit në një rol të rëndësishëm brenda pronësisë së një tjetër klubi historik të La Ligës.











