Kuvendi i Shqipërisë ka nisur prodhimin e lajmeve të veta televizive, përmes një strukture të re mediatike, për të cilën është parashikuar një investim prej rreth 500 mijë eurosh.
Por përmbajtja e parë e publikuar ngre pikëpyetje mbi nevojën për një shpenzim të tillë, në një kohë kur aktiviteti parlamentar transmetohet prej vitesh nga televizioni publik dhe platformat zyrtare në rrjetet sociale.
Nisma e ndërmarrë nga institucioni i drejtuar prej Niko Peleshit ka sjellë një format të ngjashëm me edicionet tradicionale të lajmeve, ku një spikere prezanton zhvillimet e ditës në Kuvend.
Në materialin e parë të transmetuar dominojnë deklaratat e ministrave, diskutimet e deputetëve socialistë në komisionet parlamentare dhe raportimet e drejtuesve të institucioneve shtetërore.
Pra, kryesisht informacione që qytetarët mund t’i ndjekin edhe sot përmes transmetimeve të drejtpërdrejta të Kuvendit, medias dhe kanalit RTSH Kuvend.
Por për të prodhuar këto përmbledhje, administrata parlamentare ka projektuar ngritjen e një strukture të posaçme, me studio televizive, pajisje teknologjike, redaksi dhe personel të dedikuar.
Projekti u prezantua në janar 2026 me emërtimin “Media Hub”, duke parashikuar një investim fillestar prej 50.2 milionë lekësh, ose afërsisht gjysmë milioni euro.
Në dokumentacionin e Kuvendit, struktura e re përshkruhet si një qendër moderne multimediale, e aftë të prodhojë lajme, intervista, kronika, analiza dhe përmbajtje të tjera mbi veprimtarinë parlamentare.
Pjesë e projektit janë edhe shërbime të integruara të inteligjencës artificiale, arkivimi digjital dhe shpërndarja e materialeve në platforma të ndryshme.
Megjithatë, ajo që është shfaqur në ditën e parë nuk demonstron ende përfitimet që duhet të justifikojnë këtë investim.
Në vend të një produkti të ri informativ, qytetarëve u është ofruar kryesisht një përmbledhje televizive e deklaratave dhe aktiviteteve që janë tashmë publike.
Në fakt, Shqipëria ka prej vitesh një kanal televiziv të dedikuar për institucionin ligjvënës.
RTSH Kuvend transmeton seancat plenare dhe veprimtarinë parlamentare, ndërsa vetë institucioni publikon mbledhjet e komisioneve, deklaratat dhe aktivitetet e tjera në internet.
Për këtë arsye, ngritja e një redaksie të re televizive shton pikëpyetjet mbi mundësinë e mbivendosjes së shërbimeve dhe përdorimin me efektivitet të fondeve publike.
Kuvendi argumenton se projekti do të shërbejë për informimin e qytetarëve, shpjegimin e ligjeve dhe rritjen e transparencës parlamentare.
Por për të vlerësuar nëse këto objektiva justifikojnë investimin, duhet të bëhet e qartë se çfarë ofron struktura e re përtej shërbimeve ekzistuese.
Vetëm publikimi i deklaratave të deputetëve dhe ministrave në një format të ri televiziv nuk përbën domosdoshmërisht një përmirësim të informimit publik.
Po ashtu, mbetet për t’u parë nëse televizioni parlamentar do të garantojë hapësirë të balancuar për mazhorancën dhe opozitën, apo do të funksionojë kryesisht si një kanal komunikimi institucional.
Përmbajtja e ditës së parë nuk mjafton për të nxjerrë përfundime mbi funksionimin e ardhshëm të projektit, por krijon një detyrim për transparencë mbi shpenzimet dhe rezultatet e pritshme.











