Pas problemeve të konstatuara me aksesin dhe funksionimin e shërbimeve Outlook, Teams dhe Azure, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në Shqipëri ka bërë thirrje të bëhet kujdes, pasi aktorë të ndryshëm po tentojnë të mashtrojnë online përdoruesit duke iu kërkuar të dhënat personale.
Në një njoftim zyrtar, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thotë se kjo situatë mund të shfrytëzohet nga aktorë keqdashës për të mashtruar përdoruesit, duke ofruar ndihmë të rreme për rikthimin e aksesit në shërbime. Ata mund të dërgojnë email-e ose mesazhe që kërkojnë ndryshimin e fjalëkalimit, të njoftojnë për bllokimin e llogarisë apo të telefonojnë duke u prezantuar si punonjës të mbështetjes teknike.
Nisur nga kjo, bëhet apel që të bëhet kujdes ndaj email-eve që kërkojnë “rivendosje të fjalëkalimit Microsoft”, SMS-ve për “llogari të bllokuar” dhe që kërkojnë veprime të menjëhershme, si dhe telefonatave nga persona që paraqiten si “IT support” dhe ofrojnë ndihmë për rikthimin e aksesit.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u kërkon qytetarëve që të mos klikojnë lidhje të dyshimta për hyrje në llogari apo rivendosje fjalëkalimi.
Ndërsa rekomandohet kompanive që shërbimet të aksesohen drejtpërdrejt përmes faqeve ose aplikacioneve zyrtare, të verifikohet çdo kërkesë për ndërhyrje teknike dhe të konsultohen paraprakisht me stafin IT të institucionit.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike thekson se, sipas informacionit të raportuar nga Microsoft, ndërprerjet e shërbimeve Outlook, Teams dhe Azure janë pasojë e ngarkesës së lartë në infrastrukturën e kompanisë dhe nuk lidhen me një incident kibernetik.











