Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e tre akteve të miratuara nga qeveria, të cilat lidhen me protestat dhe masat që mund të ndërmerren ndaj pjesëmarrësve në tubime.
Përveç shfuqizimit të tyre, PD ka kërkuar edhe pezullimin e zbatimit deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se këto akte krijojnë mekanizma që mund të kufizojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar, duke i dhënë Policisë së Shtetit kompetenca që, sipas opozitës, tejkalojnë kufijtë kushtetues.
“Qeveria po përdor rendin publik si alibi për të kufizuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar”, deklaroi Bardhi.
Ai u ndal te kompetencat që Akti Normativ nr. 5/2026 i jep Policisë së Shtetit, duke përmendur mundësinë e kufizimit të tubimeve për periudha deri në 72 orë, largimin e personave nga zona të caktuara deri në 48 orë, si dhe kërkesat për fshirjen e përmbajtjeve në rrjetet sociale që konsiderohen nxitëse të dhunës.
Sipas tij, këto kompetenca rrezikojnë lirinë e shprehjes dhe krijojnë hapësirë për ndërhyrje arbitrare ndaj qytetarëve.
“Policia nuk mund të jetë njëkohësisht polici, prokurori dhe gjykatë. Ajo nuk mund të marrë kompetenca që Kushtetuta ia rezervon pushtetit gjyqësor”, u shpreh Bardhi.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga opozita lidhet me Aktin Normativ nr. 6/2026, i cili parashikon përgjegjësi për dëmet e shkaktuara gjatë tubimeve. Bardhi kundërshtoi mundësinë që organizatorët apo organizatat të mbajnë përgjegjësi për veprime të kryera nga individë të tjerë gjatë protestave.
“Përgjegjësia në një shtet të së drejtës është individuale. Nuk mund të ndëshkohen organizatorët për veprime që nuk i kanë kryer, urdhëruar apo nxitur”, theksoi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.
Kundërshtime u ngritën edhe ndaj Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, që parashikon krijimin e një regjistri të posaçëm për personat e lidhur me procedime ose hetime penale për vepra të kryera gjatë tubimeve. Sipas Bardhit, ky mekanizëm ngre shqetësime për mbrojtjen e të dhënave personale dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, pasi mund të sjellë pasoja edhe për persona ndaj të cilëve nuk ka një vendim fajësie nga gjykata.
Opozita ka kërkuar edhe thirrjen në një seancë dëgjimore në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj.
Bardhi kërkoi që ky i fundit të japë llogari për mënyrën e trajtimit të protestuesve, shoqërimet në komisariate, vendosjen e gjobave dhe pretendimet për dhunë policore gjatë tubimeve të fundit.
“Kemi kërkuar thirrjen në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hitaj, për të dhënë llogari për dhunën policore dhe ndëshkimin e protestuesve paqësorë”, deklaroi Bardhi.
Në përfundim, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së iu drejtua edhe komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve të Shqipërisë, duke kërkuar një qëndrim publik lidhur me atë që opozita i konsideron cenime të lirive dhe të drejtave themelore.
“Asnjë pushtet nuk qëndron mbi Kushtetutën. Protesta paqësore është një e drejtë themelore, e cila duhet garantuar dhe mbrojtur, jo ndëshkuar”, përfundoi Bardhi.











