Fitorja e Abdul El-Sayed në zgjedhjet për Senatin amerikan në Michigan po shihet si një moment historik për komunitetin mysliman në Shtetet e Bashkuara. Demokrati u bë myslimani i parë i zgjedhur në Senat, duke mposhtur rivalin republikan Mike Rogers, në një garë të shoqëruar me sulme dhe retorikë islamofobike. El-Sayed deklaroi për Associated Press se përpjekjet për të demonizuar njerëzit për shkak të besimit të tyre dështuan, pasi votuesit e Michiganit e refuzuan këtë gjuhë.
Në qytetin Dearborn, ku jeton një komunitet i madh arab-amerikan, fitorja u prit me entuziazëm të veçantë. Kryebashkiaku Abdullah Hammoud e cilësoi rezultatin si “një histori bukur amerikane”, duke theksuar se El-Sayed fitoi mbështetjen e shumicës së votuesve për programin dhe idetë e tij, pavarësisht besimit fetar. Gjatë fushatës, presidenti Donald Trump e kishte cilësuar kandidatin demokrat si “xhihadist”, ndërsa disa politikanë republikanë kishin përdorur retorikë kundër ligjit islamik, Sharia.
Për shumë amerikanë myslimanë, veçanërisht ata që janë rritur pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, fitorja përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si komuniteti i tyre përfaqësohet në institucionet më të larta të vendit. Përfaqësues të organizatave myslimane e kanë cilësuar rezultatin si një pikë kthese për pjesëmarrjen politike të këtij komuniteti dhe një kundërshtim ndaj politikës së urrejtjes. Vetë El-Sayed tha se nuk kishte kandiduar për t’u bërë senatori i parë mysliman, por për të përfaqësuar Michiganin, duke shtuar se Amerika duhet të jetë një vend ku të gjithë kanë vend, pavarësisht besimit apo prejardhjes.











