“Jam penduar, nuk doja ta vrisja. Gjithçka ndodhi shumë shpejt”. Këto janë fjalët e Daniele Sartinit, 29-vjeçarit italian të dyshuar për vrasjen e Denaldo Maxhalakut, 31-vjeçarit shqiptar, trupi i pajetë i të cilit u gjet i fshehur në një pus pranë banesës së të dyshuarit.
Sartini ndodhet në burg që prej 28 tetorit, ditën kur u zbulua trupi i shqiptarit. Gjatë deklarimeve të tij, 29-vjeçari ka shprehur pendesë për ngjarjen, duke pretenduar se gjithçka ndodhi në pak çaste, mes frikës dhe tensionit.
“E bëra unë. Kisha frikë për veten dhe familjen time, u ndjeva i kërcënuar. Denaldo më kapi nga fyti, sepse nuk kisha paratë e kokainës për t’ia kthyer. Hyra në shtëpi dhe mora armën”, ka deklaruar ai para hetuesve.
Sipas versionit të të dyshuarit, konflikti kishte nisur për shkak të një borxhi prej 1.500 eurosh, që lidhej me drogën. Megjithatë, hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
U zbulua nga telefoni celular
Hetuesit arritën të zbardhin lëvizjet e 29-vjeçarit edhe përmes të dhënave telefonike. Nga tabulatet rezultoi se Sartini dhe Maxhalaku kishin komunikuar pak para krimit dhe kishin lënë një takim në mbrëmjen e 7 tetorit, në banesën e italianit.
Po ashtu, telefoni i të dyshuarit u lokalizua në vendin ku ishte djegur automjeti i viktimës, rreth katër kilometra larg vendit të vrasjes. Përballë provave, Sartini pranoi se kishte qëlluar për vdekje 31-vjeçarin shqiptar.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, pas një debati, Sartini dyshohet se ka marrë një pistoletë të tipit Glock, kalibër 40, dhe ka qëlluar tri herë në gjoks ndaj Maxhalakut, i cili ka humbur jetën në vendngjarje.
Më pas, ai dyshohet se ka transportuar trupin e pajetë me automjet dhe e ka fshehur në një pus artezian përpara banesës së tij. Në vijim, i ka vënë flakën makinës së viktimës, në përpjekje për të zhdukur gjurmët.
Kush ishte Denaldo Maxhalaku?
Denaldo Maxhalaku ishte 31 vjeç dhe punonte si bojaxhi. Prej tre vitesh jetonte në Gatteo me bashkëshorten e tij shqiptare, 20 vjeçe, dhe vajzën e vogël, e cila kishte lindur në gusht të vitit 2025.
Bashkëshortja e tij e ka përshkruar si një burrë të përkushtuar ndaj familjes dhe një punëtor të palodhur.
“Ishte një bashkëshort i përkushtuar, një baba i dashur dhe një punëtor i madh. Vajza ime do të duhet të rritet pa babanë e saj. Është një dhimbje që nuk ka të krahasuar”, është shprehur ajo.
Ndërkohë, Daniele Sartini, i cili ka pranuar autorësinë e vrasjes, ishte i papunë prej një muaji.
Aktualisht, po kryhet autopsia e trupit të viktimës. Pas përfundimit të saj, Prokuroria pritet të japë autorizimin për varrimin, duke ia vënë trupin në dispozicion familjes.











