Autoritetet spanjolle po hetojnë një organizatë të dyshuar kriminale me origjinë shqiptare, pas zbulimit të një sasie që mund të arrijë deri në 10 tonë kokainë në dy kapanone industriale në qytetin e Aguilas. Vlera e drogës në tregun e zi përllogaritet nga 130 deri në 145 milionë euro.
Zbulimi u bë rastësisht, pasi një paletë me kokainë ra nga një pirun ngritës gjatë zhvendosjes së ngarkesës. Punëtorët u larguan nga ambientet, ndërsa policia që mbërriti në vendngjarje gjeti magazinat të braktisura.
Në kapanonin e parë janë numëruar mbi 5 mijë kilogramë kokainë, ndërsa kontrolli i një ambienti të dytë në të njëjtën zonë industriale e çoi sasinë e dyshuar në rreth 10 tonë. Numërimi përfundimtar ende nuk ka përfunduar.
Sipas hetimeve paraprake, magazinat dyshohet se përdoreshin nga një rrjet kriminal me origjinë shqiptare për ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës në Spanjë dhe vende të tjera evropiane. Deri tani nuk ka persona të arrestuar.











