Një grabitje e armatosur është regjistruar paraditen e së hënës në një bankë të nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Një person i maskuar dyshohet se ka marrë një shumë parash, vlera e së cilës ende nuk është përcaktuar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:45. Autori, i veshur me të zeza, me skafandër në kokë dhe çantë krahu, hyri në ambientet e bankës dhe i drejtoi armën rojës private, i cili nuk bëri rezistencë dhe u tërhoq në holl. Më pas, grabitësi u drejtua me shpejtësi drejt arkës.
Sipas dinamikës së filmuar nga kamerat e sigurisë, autori kishte veshur edhe doreza, çka e vështirëson identifikimin përmes gjurmëve papilare. Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar nëse arma që ai përdori ishte e vërtetë apo lodër.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje arkëtaren dhe rojën private, të cilët konsiderohen dëshmitarët kryesorë të ngjarjes. Krahas pamjeve të kamerave të brendshme, policia po verifikon edhe kamerat e sigurisë në rrugët përreth, me qëllim identifikimin e autorit.
Dyshohet se pas grabitjes, ai është larguar nga vendngjarja me një skuter elektrik. Ndërkohë, policia nuk ka bërë ende të ditur shumën e parave të vjedhura.











