Dy 20-vjeçarë nga Bulqiza kanë rënë në prangat e Policisë në Gjirokastër, pasi u kapën duke transportuar kundrejt pagesës 4 emigrantë që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar, përmes kufirit me Greqinë.
Në pranga kanë rënë shtetasit L. A., 20 vjeç, dhe L. B., 20 vjeç, të dy banues në Bulqizë.
Sipas policisë, këta shtetas u kapën në flagrancë në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, duke transportuar me automjetin tip “Volkswagen”, kundrejt fitimit, 4 emigrantë, të cilët kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar, nëpërmjet kufirit me Greqinë, si dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe 2 aparate celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprimet e mëtejshme, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”.










