Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, e vrarë më 25 tetor në Pejë, ka kundërshtuar masën e paraburgimit të caktuar ndaj tij nga Gjykata Themelore në Pejë, duke kërkuar të lihet i lirë. Gjatë seancës dëgjimore, Sylaj është arsyetuar me faktin se ka një djalë 12-vjeçar, për të cilin ka deklaruar se ka nevojë për kujdesin e tij.
“Kam fëmijën 12-vjeçar që tani s’di ku është, ka nevojë për kujdesin tim”, mësohet të ketë deklaruar ai para gjykatës.
I dyshuari ka shprehur gjithashtu keqardhje për ngjarjen, duke pretenduar se ishte përpjekur ta parandalonte vrasjen. “Ndjej keqardhje për këtë çka ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”, është shprehur Sylaj.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur janë bërë publike edhe dëshmitë që Arlinda Zekaj kishte dhënë në polici para se të vritej. Sipas raportimeve, ajo kishte denoncuar kërcënime nga ish-bashkëshorti, duke dëshmuar se ai i kishte thënë: “Unë të thej, të mbys”.
Në dëshminë e saj, Arlinda kishte ngritur edhe një pyetje alarmante ndaj efektivëve të policisë: “A duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin?” Sipas Prokurorisë, ndaj Sylajt rezultojnë gjashtë raste penale të hapura, katër prej tyre gjatë vitit 2026. Prokuroria ka argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes nëse ai lihet i lirë.
Çështja vijon në rrugë ligjore, ndërsa deklaratat e palëve dhe pretendimet e paraqitura duhet të vlerësohen nga organet kompetente.










