Një tërmet me magnitudë 7 ballë goditi Tibetin, në Kinë, duke shkaktuar të paktën 16 viktima dhe 65 të plagosur. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat e prekura, ndërsa autoritetet raportojnë dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve Xinhua, nga tërmeti janë shembur të paktën 339 banesa dhe 20 stalla bagëtish. Lëkundjet goditën zonën rreth orës 22:33, ndërsa epiqendra u lokalizua në një zonë malore pranë qytetit Nagqu, në veri të Tibetit.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra ndodhej rreth 190 kilometra në lindje-verilindje të Nagqu dhe 390 kilometra në verilindje të kryeqytetit tibetian, Lhasa.
Autoritetet lokale kanë konfirmuar se disa banesa në fshatrat pranë epiqendrës kanë pësuar çarje në mure, ndërsa banorët janë larguar nga shtëpitë për të kërkuar strehim në ambiente të hapura ose në automjetet e tyre.
Pas tërmetit, autoritetet kineze aktivizuan nivelin e dytë të reagimit emergjent për përballimin e fatkeqësisë. Operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë, ndërsa ekipet në terren po vlerësojnë dëmet dhe po ndihmojnë banorët e prekur.
Sipas raportimeve, ky është tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Kinën që nga janari i vitit 2024.











