Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe këtë të enjte thirrjen për dialog me protestuesit, duke zgjedhur një mënyrë të re për të përcjellë mesazhin e tij. Këtë herë, para godinës së Kryeministrisë janë vendosur stola guri me mbishkrimin “Dialog”, pasi karriget e vendosura në dy ditët e mëparshme u hoqën dhe u thyen nga protestuesit.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Rama ka shoqëruar pamjet me përshëndetjen “Mirëmëngjes”, duke përcjellë sërish ftesën e tij për dialog me studentët.
Kjo është dita e tretë radhazi që kreu i qeverisë u bën thirrje protestuesve për t’u ulur në tryezën e dialogut, ndërsa protestuesit kanë vijuar të refuzojnë ftesën e tij, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Protestat kanë hyrë në ditën e nëntë, me pjesëmarrjen edhe të pedagogëve të universiteteve publike, të cilët i janë bashkuar tubimeve dhe kanë nisur bojkotin e mësimdhënies.











