• About
  • Advertise
  • Privacy & Policy
  • Contact
E mërkurë, 21 Tetor, 2026
  • Login
Iliria News
CityDent
  • KREU
  • Shqipëri
    • Aktualitet
    • Ekonomi
    • Politikë
  • Kosova
  • Rajoni
  • Bota
  • Analizë
  • Sporti
  • Showbiz
  • Video
  • Ekstra
    • Shëndeti
    • Kulturë
    • Teknologji
Asnjë rezultat
Shiko të gjitha rezultatet
  • KREU
  • Shqipëri
    • Aktualitet
    • Ekonomi
    • Politikë
  • Kosova
  • Rajoni
  • Bota
  • Analizë
  • Sporti
  • Showbiz
  • Video
  • Ekstra
    • Shëndeti
    • Kulturë
    • Teknologji
Asnjë rezultat
Shiko të gjitha rezultatet
Iliria News
Asnjë rezultat
Shiko të gjitha rezultatet
Kreu Analizë

“Qeveria duket se e sheh këtë brez protestuesish si “protestues të TikTok-ut”, por gabon”

21 Tetor, 2026
tek Analizë, Ekstra, Lajme, Shqipëri
Share on FacebookShare on Twitter

NGA ARBEN RAMKAJ

www.reklamo.al www.reklamo.al www.reklamo.al

Nuk i pamë, derisa dolën përballë nesh
Revolucioni i Flamingove nisi si reagim ndaj investimeve të planifikuara në Zvërnec dhe Sazan. Në fillim, edhe unë u habita. Si mund të ngrihej shoqëria kundër një investimi që paraqitej si një ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri? Një vend që ka nevojë për zhvillim duhet të jetë i hapur ndaj investimeve strategjike. Kur dëgjova se projekti lidhej me portofolin e investimeve të familjes Trump, mendova: si mund t’i dilte dikush kundër një investimi të tillë? Kërkoja shpjegime, por nuk e kuptoja se pas kundërshtimit fshihej një shqetësim shumë më i thellë.


Protestuesit me qeleshe të bardha ngritën pyetje për pasuritë e vendit, mënyrën si merren vendimet dhe zërin e qytetarëve në to. Revolucioni i Flamingove u bë një nga ngjarjet më krijuese të dekadës së fundit: pamjet e tij pushtuan ekranet e botës dhe përcollën një shqetësim që kapërceu kufijtë. Një vend i varfër, por i pasur me bukuri e pasuri natyrore, rrezikonte të humbiste të drejtën për të vendosur mbi atë që i përket. Mund ta kuptoj që investitorët janë ndier të turpëruar apo të keqkuptuar nga mënyra si u paraqit projekti. Por shqetësimi i qytetarëve meritonte të dëgjohej me të njëjtin seriozitet.

Lexo edhe:

“Sot vendosim ne”, studentët shpalosin banderolën në Universitetin Politeknik: Rroftë rinia e lirë

Pedagogët shpallën bojkotin, Sandër Kovaçi: Do të kthehemi në auditor, sapo studentët tanë të marrin përgjigjen që meritojnë


Prej njëqind e pesëdhjetë ditësh, ata këmbëngulin mes vapës dhe të ftohtit. Nuk janë dorëzuar. Me qëndresën e tyre kanë çarë perden e heshtjes që mbulonte shoqërinë dhe na kanë vënë përballë një pakënaqësie që shumë prej nesh kishin zgjedhur të mos e shihnin. Në fillim, shumëkush mendoi se protesta do të shuhej vetë. U gabua edhe politika: në vend që t’u përgjigjej kërkesave, u përpoq ta largonte debatin nga thelbi.

Protestuesve iu vunë etiketime si antiamerikanë, antisemitë, anti-Trumpistë, globalistë, madje edhe “islamistë të politizuar”. Përmes gazetarëve të paguar nga pushteti u përhap një lumë teorish nga më të ndryshmet. Kështu, vëmendja u largua nga kërkesat konkrete dhe debati u kthye në një përplasje mes kampeve.


Në fillim mendova se thirrjet e skajshme që u dëgjuan përballë Kryeministrisë, si “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, do ta dëmtonin protestën dhe do ta shuanin. Por ndodhi e kundërta: ato zgjuan një shoqëri të tërë nga heshtja dhe nxorën në dritë zemërimin e mbledhur prej kohësh. Më kujtuan thënien profetike: “Ai që hesht përballë së vërtetës është djall memec.” Heshtja e njerëzve nuk vinte nga mungesa e pakënaqësisë, por nga lodhja. Prej vitesh ata flisnin për problemet e tyre, por askush nuk i merrte seriozisht dhe asgjë nuk ndryshonte.


Shenjat e kësaj pakënaqësie ishin shfaqur edhe më parë. Në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Vlorës, pjesëmarrja e ulët rreth 12 për qind e votuesve duhej të kishte qenë një këmbanë alarmi. Por askush nuk u ndal të pyeste çfarë kuptimi kishte ai bojkot. Mjaftonte që procesi të zhvillohej dhe sistemi të vazhdonte të funksiononte. Edhe tani, protesta nisi paqësisht, u rrit dhe priti një përgjigje. Në vend të dëgjimit, mori heshtje dhe përpjekje të përsëritura për ta zhvendosur vëmendjen nga thelbi.


Kur politika nuk dëgjoi dhe shumëkush mendoi se protesta e kishte përmbushur misionin e saj, në skenë doli Gjenerata Z. Qeveria duket se e sheh këtë brez protestuesish si “protestues të TikTok-ut”, por gabon. Kjo nuk është një prirje kalimtare e rrjeteve sociale, por shprehje e kërkesave konkrete dhe e një pakënaqësie që politika ka zgjedhur për shumë kohë të mos e dëgjojë. Ky qëndrim nxjerr në pah hendekun mes të rinjve dhe atyre që pretendojnë t’i përfaqësojnë. Ata ndihen të pakuptuar jo vetëm nga politika, por edhe nga shoqëria, institucionet fetare dhe grupet që duhej t’u qëndronin pranë.


Për një kohë të gjatë jemi sjellë sikur të rinjtë nuk ekzistonin: u kemi dhënë udhëzime, por rrallë i kemi pyetur çfarë mendojnë. Kur kërkojnë të mos drejtohen nga krerët e partive më të mëdha, ata shprehin mosbesimin ndaj një politike që pretendon se i përfaqëson, por nuk ua dëgjon zërin. Shumë prej tyre po dalin në rrugë sepse nuk duan të përballen me të njëjtën pasiguri që kanë përjetuar baballarët e tyre. Me flamurin kombëtar në duar, kërkojnë një të ardhme ndryshe për vendin.


Kjo pakënaqësi mori fytyrë dhe zë në dëshmitë që pamë e dëgjuam. Një grua shtatzënë, me flamurin kombëtar në duar, qëndronte në vorbullën e protestës. Një jetim pesëmbëdhjetëvjeçar, mes lotësh, i tregonte një përfaqësuesi politik se e kishin dhunuar dhe se ai me të ëmën nuk mund të jetonin me tridhjetë e pesë mijë lekë të vjetra në muaj. Një vajzë e re, në bisedë me një moderatore të njohur, shpjegonte se blerja e një shtëpie në Tiranë i dukej e paarritshme. Këto rrëfime e shndërruan protestën në një përvojë tronditëse për shoqërinë shqiptare dhe zgjuan shpirtin e saj, të mpirë prej kohësh nga indiferenca.


Të rinjtë po përballen me policinë pa u tërhequr, ndonjëherë deri në vetmohim. Policia ka detyrën e saj, por mënyra si e përmbush atë është edhe çështje ndërgjegjeje dhe përgjegjësie. Dhuna nuk mund të jetë përgjigjja ndaj një brezi që kërkon të dëgjohet.


Pakënaqësia e të rinjve nuk është vetëm shqiptare. Në vende të tjera europiane ata protestojnë për arsimin, strehimin, koston e jetesës dhe mungesën e perspektivës. Rrethanat ndryshojnë, por përsëritet ndjesia se të rinjtë nuk përfaqësohen dhe nuk kanë ndikim të mjaftueshëm në vendimet që përcaktojnë të ardhmen e tyre. Prandaj, pyetja nëse sistemi i vjetër politik është në agoni nuk i përket vetëm Shqipërisë; ajo lidhet me krizën më të gjerë të besimit mes qytetarëve dhe politikës.


Në dobësimin e sistemit të vjetër shqiptar kemi kontribuar shumica prej nesh, përmes heshtjes, përshtatjes dhe pranimit të padrejtësive si pjesë të zakonshme të jetës. Për këtë arsye, përgjegjësia për ndryshimin nuk u takon vetëm të rinjve. Liderët e politikës tradicionale, sidomos ata të partisë në pushtet, patën një shans historik për t’i dëgjuar dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre. E humbën.
Megjithatë, u mbetet një mundësi tjetër: të dalin në krye të kërkesave të të rinjve, të ndërmarrin ndryshimet e nevojshme dhe më pas t’ia lënë stafetën politike këtij brezi protestues. Të rinjtë mund të bien dakord për një udhërrëfyes të përbashkët reformash të sinqerta. Nëse politika e vjetër shqiptare (politika e pleqve shqiptare) nuk e bën këtë, vetëm do ta zgjasë në kohë një betejë që tashmë është e humbur. Mund ta vonojë ndryshimin, por nuk mund ta ndalë.


Tani që fëmijët tanë po dalin përballë nesh dhe protesta vazhdon, rruga është e qartë: t’i dëgjojmë, t’u kërkojmë ndjesë që për kaq gjatë nuk ua morëm seriozisht shqetësimet dhe të punojmë për përmbushjen e kërkesave të tyre. Historia nuk ndërtohet nga një brez i vetëm; ajo merr formë përmes përpjekjes së përbashkët, dialogut dhe gatishmërisë për të ndrequr gabimet. Ndoshta kështu ky brez do të na falë për gabimet tona dhe për kohën që humbëm pa e dëgjuar.

Nga Kategoria

Aktualitet

“Sot vendosim ne”, studentët shpalosin banderolën në Universitetin Politeknik: Rroftë rinia e lirë

21 Tetor, 2026
Aktualitet

Pedagogët shpallën bojkotin, Sandër Kovaçi: Do të kthehemi në auditor, sapo studentët tanë të marrin përgjigjen që meritojnë

21 Tetor, 2026
Aktualitet

Sula për protestat: Kam protestuar kundër Ramës, por dhuna nuk e forcon një kauzë të drejtë! Policët e studentët duhet të kthehen shëndoshë në shtëpi

21 Tetor, 2026

Na ndiqni

Të fundit

“Sot vendosim ne”, studentët shpalosin banderolën në Universitetin Politeknik: Rroftë rinia e lirë

21 Tetor, 2026

“Qeveria duket se e sheh këtë brez protestuesish si “protestues të TikTok-ut”, por gabon”

21 Tetor, 2026

Pedagogët shpallën bojkotin, Sandër Kovaçi: Do të kthehemi në auditor, sapo studentët tanë të marrin përgjigjen që meritojnë

21 Tetor, 2026

Sula për protestat: Kam protestuar kundër Ramës, por dhuna nuk e forcon një kauzë të drejtë! Policët e studentët duhet të kthehen shëndoshë në shtëpi

21 Tetor, 2026

58 protestuesit e arrestuar në Tiranë dalin sot para Gjykatës, caktohen masat e sigurisë

21 Tetor, 2026

Kanosën një person për t’i kthyer borxhin/ Fier, arrestohet 34-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtori

21 Tetor, 2026

Alarm për sigurinë e bazave ushtarake, Britania arreston dy të dyshuar për ndihmë ndaj Iranit

21 Tetor, 2026

Konjufca: Serbia vazhdon kërcënimet ndaj Kosovës, ekspozon synimet e saj ekspansioniste territoriale

21 Tetor, 2026
Iliria News

Iliria News është platformë mediatike e pavarur që synon të jetë tempull i lajmit të vërtetë dhe mendimit të lirë, kryesisht ndër shqiptarët, kudo ku ndodhen...

REDAKSIA: [email protected]

Lexo sipas rubrikave

  • Aktualitet
  • Analizë
  • Bota
  • Ekonomi
  • Ekstra
  • Kosova
  • Kryesore
  • Kulturë
  • Lajme
  • Politikë
  • Rajoni
  • Shëndeti
  • Showbiz
  • Showbiz
  • Shqipëri
  • Sport
  • Sporti
  • Teknologji
  • Video

Na ndiqni

  • About
  • Advertise
  • Privacy & Policy
  • Contact

© 2025 iliria news. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
Asnjë rezultat
Shiko të gjitha rezultatet
  • KREU
  • Shqipëri
    • Aktualitet
    • Ekonomi
    • Politikë
  • Kosova
  • Rajoni
  • Bota
  • Analizë
  • Sporti
  • Showbiz
  • Video
  • Ekstra
    • Shëndeti
    • Kulturë
    • Teknologji

© 2025 iliria news. Të gjitha të drejtat e rezervuara.