Manchester City ndodhet në qendër të një tjetër stuhie në Angli, ndërsa sipas raportimit të AS, drejtuesit e klubit kishin mësuar që gjatë muajve qershor-korrik se komisioni i pavarur i kishte konsideruar shkelje 114 nga 115 akuzat e lidhura me rregullat financiare të Premier League.
Sipas të njëjtit burim, City kishte tentuar fillimisht të arrinte një marrëveshje që do ta mbyllte çështjen me një gjobë të konsiderueshme, por Premier League kishte këmbëngulur edhe për pasoja sportive.
Kjo situatë, gjithnjë sipas AS, do të kishte vonuar procesin dhe i kishte dhënë klubit mundësinë të vepronte fuqishëm në merkaton e verës përpara se të bëhej publik vendimi.
Raportimi thekson se në periudhën mes momentit kur City mësoi për vendimin dhe publikimit të tij, klubi shpenzoi 526 milionë paund dhe realizoi një seri transferimesh të rëndësishme.
Në qendër të vëmendjes është vendosur edhe Ferran Soriano, CEO i Manchester City. AS rikujton se ai kishte mbajtur të njëjtin rol te Barcelona gjatë periudhës së lidhur me çështjen Negreira dhe kishte qenë gjithashtu drejtues i Spanair përpara falimentimit të kompanisë.
Sipas artikullit, mbetet për t’u parë nëse Soriano do të përfshihet personalisht në sanksionin përfundimtar ndaj Manchester City, i cili pritet gjatë këtij sezoni.
Ndërkohë, klubet që pretendojnë se janë dëmtuar nga veprimet e City, mes tyre Manchester United, Liverpool, Arsenal dhe Tottenham, po përgatiten, sipas raportimit, për një padi të përbashkët me qëllim kërkimin e dëmshpërblimeve.
Çështja mbetet ende larg përfundimit, ndërsa procesi i apelimit dhe sanksioni përfundimtar mund të përcaktojnë përmasat reale të një prej betejave ligjore më të mëdha të futbollit anglez.











