Joan Laporta ka hyrë në përplasjen mes Real Madridit dhe Javier Tebas, duke dalë publikisht në mbështetje të presidentit të LaLiga-s.
Presidenti i Barcelonës foli për mediat përpara ndeshjes ndaj Betis, vetëm pak kohë pasi Real Madridi kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Tebas pas deklaratave të tij për Real Madrid TV.
“Jemi me fat që Javier Tebas është president i LaLiga-s”, deklaroi Laporta, duke vlerësuar eksperiencën e tij në menaxhimin e situatave të tensionuara.
“Ai ka eksperiencën e nevojshme për këto çështje, ka gjykim të mirë dhe di si t’u përgjigjet sulmeve që po vijnë nga Real Madridi.”
Laporta shkoi edhe më tej, duke kritikuar qëndrimin e klubit madrilen ndaj institucioneve të futbollit spanjoll.
“Duket sikur duan të shkatërrojnë gjithçka. Duan të shkatërrojnë LaLiga-n, duan të shkatërrojnë Komitetin Teknik të Arbitrave. Nuk janë të kënaqur as me Federatën, nuk janë të kënaqur me asgjë.”
Presidenti i Barcelonës beson se Tebas ka eksperiencën e nevojshme për të përballuar presionin që po krijohet rreth tij.
“Është mirë që presidenti i LaLiga-s është kalitur në shumë beteja. Ka eksperiencë të mjaftueshme për t’i përballuar këto sulme. Ky qëndrim për të sulmuar vazhdimisht gjithçka që bëhet nuk është normal.”
Përplasja u përshkallëzua pasi Tebas krahasoi mënyrën e komunikimit të Real Madrid TV me mekanizmat e propagandës të përdorur nga Joseph Goebbels, duke sqaruar se po i referohej teknikave të propagandës dhe jo ideologjisë naziste.
Real Madridi reagoi me një komunikatë të fortë, ku i cilësoi deklaratat si të patolerueshme dhe kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Tebas nga postet që mban në futbollin spanjoll.
Tashmë edhe Laporta është bërë pjesë e debatit, duke pozicionuar hapur Barcelonën në krah të presidentit të LaLiga-s.











