Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar sërish në lidhje me protestat që janë duke u zhvilluar në disa qytete të Shqipërisë.
Në njoftimin e saj, ambasada thekson se demonstrata po zhvillohen në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë, Kukës dhe Elbasan, kryesisht në qendrat e qyteteve dhe pranë ndërtesave qeveritare, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin këto zona.
“Demonstrata po zhvillohen në Tiranë, Shkodër, Durres, Vlorë, Korçë, Kukës dhe Elbasan, veçanërisht në qendrat e qyteteve dhe përreth ndërtesave qeveritare. Disa demonstrata janë shndërruar në të dhunshme. Protestuesit kanë përdorur mjete ndezëse, kanë hedhur gurë dhe kanë dëmtuar pronën publike dhe private. Demonstrata të tjera mund të ndodhin në ditët në vijim.
Demonstratat mund të përhapen në rrugët përreth, duke sjellë më shumë policë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Ambasada e SHBA-së në Tiranë i ka thënë personelit të saj të shmangë të gjitha zonat e demonstratave.
Qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në vend të parë. Monitoroni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit. Priten mbyllje të mëtejshme ose shërbime të reduktuara në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë transportin publik, zyrat qeveritare dhe shkollat”,– thuhet ndër të tjera në reagim.











