Sapo ka mbërritur në gjykatën e Fierit, nën masa të rrepta sigurie, 51-vjeçari Sokol Hoxha, i ekstraduar nga SHBA. I dënuari për vrasjen e tre shtetasve kërkon të shpallë parashkrimin e dënimit penal.
51-vjeçari nga Patosi, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 1997 dhe me burgim të përjetshëm nga gjykata belge për vrasjen e Brunilda Dervishit, kërkon të përfitojë nga mekanizmat e së drejtës penale, sikundër është parashkrimi i dënimit.
Ai u kap në SHBA në muajin maj falë bashkëpunimit të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri, Belgjikë dhe SHBA, në kuadër të operacionit “Globi”, dhe u ekstradua në Shqipëri në datën 6 gusht. 51-vjeçari u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin me 25 vite burg, dhënë në mungesë nga Gjykata e Fierit në vitin 2000.
Por, teksa kanë kaluar 26 vite nga mosekzekutimi i dënimit penal, Hoxha po kërkon shuarjen e dënimit. Seanca e mbajtur një javë më parë u shty për ditën e sotme për të kërkuar informacion nga Gjykata e Lartë lidhur me vendimmarrjen më të fundit, ndërsa para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtare Aurora Tusha, prokurore Malbora Dinaj dhe avokatët Toto Avdija dhe Rozeta Plaku, Hoxha do të përballet me kërkesën e tij për lirimin nga burgu.











