Dy persona janë arrestuar nga policia e Krujës pas vdekjes së një 16-vjeçari, i cili humbi jetën ditën e djeshme pasi u shkëput ashensori në një restorant në fshatin Arrameras, në Fushë-Krujë.
26-vjeçari, kamarier i këtij restoranti i dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”, si dhe pronari 62-vjeçar akuzohet për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehje të të ardhurave”.
Sipas njoftimit të Policisë, dyshohet se 26-vjeçari, gjatë kohës që ndodhej në ambientet e restorantit, ka shtyrë me duar 16-vjeçarin ku ky i fundit ishte gjithashtu i punësuar si kamerier, brenda ashensorit.
Si pasojë e shkëputjes së ashensorit, i mituri ka humbur jetën.
Njoftimi i policisë:
Krujë
Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. S., 26 vjeç, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”;
-A. V., 62 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Arrestimet u kryen pasi dyshohet se më datë 11.10.2026, në fshatin Arrameras, Fushë Krujë, në restorantin në pronësi të shtetasit A. V., shtetasi E. S., kamerier i lokalit, ka shtyrë me duar një 16-vjeçar (i punësuar kamerier në lokal), brenda në ashensor, dhe si pasojë e shkëputjes së ashensorit, 16-vjeçari ka humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.











