Adriatik Kupi ka dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, pas shtatë muajsh në krye të institucionit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kupi përmes një reagimi, ku e cilëson periudhën në këtë detyrë si jo të lehtë, duke përmendur përgjegjësitë, vendimet e vështira dhe sfidat me të cilat është përballur.
Në reagimin e tij, Kupi thotë se gjatë këtyre muajve është përqendruar te forcimi i sigurisë, përmirësimi i administrimit dhe modernizimi i sistemit penitenciar. Sipas tij, ndër prioritetet kanë qenë rritja e përgjegjshmërisë, mbështetja e profesionalizmit të punonjësve dhe përmirësimi i kushteve të trajtimit të personave që vuajnë dënimin.
Ai thekson se një sistem penitenciar modern duhet të garantojë respektimin e të drejtave të të burgosurve, transparencën dhe mundësitë për rehabilitim e riintegrim në shoqëri.
Kupi nuk ka dhënë detaje konkrete për arsyet që e çuan drejt vendimit për t’u larguar nga detyra, por në mesazhin e tij përmend kritikat dhe kundërshtimet me të cilat është përballur gjatë ushtrimit të funksionit.
“Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë”, shprehet ai, duke shtuar se kritikën është përpjekur ta dëgjojë edhe kur ka qenë e vështirë.
Në përfundim të reagimit, Kupi falënderon Ministrinë e Drejtësisë, në veçanti ministrin Toni Gogu, për besimin dhe bashkëpunimin, si dhe drejtuesit dhe punonjësit e sistemit penitenciar për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe.
Ai shprehet se largohet me respekt për përgjegjësinë që i është besuar dhe me dëshirën që puna e nisur të vijojë për ndërtimin e një sistemi penitenciar më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzor.
Deri më tani, në reagimin e tij publik, Kupi nuk ka bërë të ditura hollësi të tjera lidhur me vendimin për dorëheqjen.











