Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaron se Ukraina duhet të zhvillojë zgjedhje, ndërsa pretendon se homologu i tij rus, Vladimir Putin, dëshiron të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Deklaratat e Trump janë raportuar nga agjencia Bloomberg, në një kohë kur konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës vijon të jetë i përgjakshëm.
“Ukraina duhet të zhvillojë zgjedhje”, është shprehur presidenti amerikan, duke kritikuar njëkohësisht homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Sipas Trump, lufta mund të ishte zgjidhur disa herë përmes negociatave, por Zelensky nuk kishte pranuar një marrëveshje.
“Lufta mund të ishte zgjidhur shumë herë, por Zelensky nuk ka dashur të bëjë një marrëveshje. Nëse do të kishte arritur një marrëveshje dy vjet më parë, do të kishte qenë më mirë për të dhe mund të kishte siguruar kushte më të favorshme. Vladimir Putin dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje”,deklaroi Trump.
Ndërkohë në të njëjtën linjë me Trump është rreshtuar edhe miliarderi i famshëm, Elon Musk, pronari i kompanive “SpaceX” dhe “Tesla”, i cili ka kritikuar presidentin ukrainas.
Musk deklaroi se Zelensky “ka shkuar shumë larg”, duke iu bashkuar kështu kritikave të presidentit amerikan ndaj udhëheqësit të Ukrainës.
Deklaratat vijnë në një moment të ndjeshëm për diplomacinë ndërkombëtare, ndërsa mundësia e negociatave për përfundimin e luftës mbetet një nga çështjet kryesore të debatit politik.
Ndërkohë, luftimet në Ukrainë vijojnë të marrin jetë civilësh. Një fëmijë 11-vjeçar ka humbur jetën dhe pesë persona të tjerë, mes tyre dy fëmijë, janë plagosur nga sulmet ruse me dronë dhe raketa në rajonin e Dnipropetrovskut, mbrëmjen e së shtunës.
Sipas autoriteteve rajonale, sulmi goditi zonën e Pokrovskes, në distriktin e Nikopolit. Mes të plagosurve janë një vajzë 10-vjeçare dhe një djalë 12-vjeçar, të cilët u dërguan në spital së bashku me tre të rritur: një burrë 47-vjeçar dhe dy gra, përkatësisht 49 dhe 61 vjeçe.
Guvernatori rajonal, Oleksandr Hanzha, bëri të ditur se forcat ruse e sulmuan rajonin më shumë se 30 herë gjatë ditës së shtunë, duke përdorur dronë dhe artileri.
Në distriktin e Nikopolit, sulmet dëmtuan ndërtesa banimi, një pikë karburanti dhe një ambulancë
Goditje u regjistruan gjithashtu në komunitetin e Zelenodolskut, në distriktin e Kryvyi Rihut, ku u dëmtuan banesa private dhe infrastruktura. Në komunitetin e Mykolaivit, në distriktin e Dnipros, u raportuan dëme në automjete dhe makineri bujqësore.
Ndërsa në planin diplomatik shtohen deklaratat për mundësinë e një marrëveshjeje, sulmet në terren tregojnë se konflikti vazhdon të ketë pasoja të rënda për popullsinë civile të Ukrainës.











