Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të reformës së re administrativo-territoriale në Kuvend, e cila u votua pak pas mesnate, pas një seance maratonë prej rreth 14 orësh, të shoqëruar me debate dhe tensione mes mazhorancës dhe opozitës.
Përmes një mesazhi, Rama e cilësoi votimin një tjetër shtysë modernizuese për Shqipërinë, pavarësisht debateve të brendshme dhe kundërshtimeve që shoqëruan procesin.
“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë e mbylli reagimin me një mesazh politik për kundërshtarët, duke theksuar se votimi tregoi edhe një herë se nuk duhet të bëjnë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste.
“Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste”, shkruan Rama në X.
Reforma e re u miratua me 85 vota pro dhe parashikon një hartë të re administrative me 46 bashki, 11 vite pas ndarjes së fundit territoriale. Projektligji u kundërshtua nga opozita, e cila kërkoi tërheqjen e tij dhe zhvillimin e një referendumi, ndërsa në sallën e Kuvendit nuk munguan as përplasjet mes deputetëve.












