Një 15-vjeçar ka humbur dorën dhe një pjesë të parakrahut gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe policisë në qytetin Lens të Francës. Ngjarja ndodhi ndërsa protestat e nxënësve kundër kushteve në shkolla hynë në javën e tretë.
Sipas mediave lokale të cituara nga Reuters, adoleshenti kishte marrë në dorë një granatë të përdorur nga policia për shpërndarjen e protestuesve, e cila më pas shpërtheu. Prefekti lokal konfirmoi plagosjen e rëndë dhe tha se për ngjarjen është nisur një hetim zyrtar.
Protestat janë përhapur në qindra shkolla në të gjithë Francën, ndërsa nxënësit kërkojnë më shumë financim, më pak mbipopullim dhe përmirësim të kushteve në institucionet arsimore. Për të martën është paralajmëruar një ditë kombëtare protestash të nxënësve.











