Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët brazilianë, ekstradoi në Shqipëri 67 vjeçarin Artef Lekaj, banues në Shkodër.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ishte dënuar me 26 vite burg për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Ngacmimi seksual”.
“Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpol Tiranës dhe homologëve në Brazil, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Brazili në Shqipëri, të shtetasit Artef Lekaj, 67 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër e ka dënuar me 26 vjet burgim, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Ngacmimi seksual”, vendim i cili ka marrë formë të prerë nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, njofton policia.
Gjatë periudhës 2020-2021, ai ka ngacmuar seksualisht një të mitur 10-vjeçare dhe ka abuzuar seksualisht me një tjetër të mitur, 15-vjeçare.
Pas ekstradimit nga Brazili, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ekzekutuan vendimin penal të Gjykatës së Apelit.











