Maqedonia e Veriut është vetëm një hap larg hapjes së negociatave me Bashkimin Europian deklaroi kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Shkup. Hapi vendimtar mbetet ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e pakicës bullgare në të.
Von der Leyen pranoi se bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme, por garantoi se vendi do të mirëpritet në familjen evropiane me identitetin dhe gjuhën e tij. “Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrë hapin përfundimtar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Tani ka vetëm një hap të rëndësishëm që duhet të bëni për të ecur përpara dhe për të hapur klasterin e parë. Kjo është një çështje e ndjeshme, por dua të jem shumë e qartë për angazhimin e Evropës. Ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut në familjen evropiane me identitetin dhe gjuhën e saj.
Jemi dakorduar që javën e ardhshme të ndërmarrim një hap të ri dhe të përpiqemi ta zhbllokojmë procesin”, tha Von der Leyen. Presidentja e Komisionit Europian foli edhe për strategjinë e re të BE-së, e cila do të publikohet javën e ardhshme.
Me këtë dokument, Bashkimi Evropian do të vlerësojë institucionet, politikat dhe buxhetin e tij për të përcaktuar se çfarë duhet të ndryshojë përpara pranimit të anëtarëve të rinj. Ajo njoftoi gjithashtu se do të prezantohet një udhërrëfyes për vendet që kanë avancuar më shumë në procesin e negociatave, si Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia.
Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, kërkoi që Brukseli të garantojë një proces të drejtë dhe pa kushte të reja. Ai theksoi se orientimi europian i Shkupit mbetet i pandryshuar, ndërsa vendi po vijon reformat e kërkuara.
Sipas Mickoskit, qytetarët duhet të fillojnë t’i ndiejnë përfitimet e integrimit edhe përpara anëtarësimit, përmes qasjes në tregun e përbashkët, investimeve, lidhjeve infrastrukturore dhe mundësive të reja ekonomike.











