Këngëtari fierak Erind Xhaferi është arrestuar në flagrancë nga Policia e Fierit, pas një informacioni të marrë në rrugë operative, lidhur me një rast të dyshuar për përndjekjen e vajzave të mitura.
Burime nga Komisariati i Policisë Fier kanë konfirmuar ndalimin e këngëtarit, ndërsa sipas të dhënave paraprake, dyshimet ndaj Xhaferit lidhen me përndjekjen e disa vajzave të mitura dhe kryerjen e veprimeve të turpshme ndaj tyre, raporton top channel.
Mësohet se ka qenë një telefonatë e bërë nga vajzat në sallën operative të Policisë, e cila ka vënë në lëvizje shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier.
Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë organizuar veprimet operacionale për dokumentimin e rastit. Në vijim, efektivët kanë bërë të mundur ndalimin e të dyshuarit, i cili është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku janë kryer veprimet e mëtejshme procedurale.
Sipas informacioneve paraprake, ndaj këngëtarit është ngritur dyshimi për veprën penale të parashikuar nga neni 108 i Kodit Penal, “Vepra të turpshme”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit. Materialet procedurale lidhur me këtë ngjarje i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.











