Seanca paraprake ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit është shtyrë sërish, këtë herë për shkak të mungesës së gjyqtares Rudina Palloj.
Gjatë seancës pati edhe diskutime lidhur me qëndrimin e avokatëve dhe bojkotin e tyre. Gjykata i kërkoi avokatit të ish-presidentit, Bujar Musta, të shprehej nëse do të ishte i pranishëm në seancë në rast se nuk do të kishte bojkot. Avokati u përgjigj pozitivisht.
Ndërkohë, Ilir Meta deklaroi se vullneti i tij për të vijuar procesin gjyqësor është i plotë. Ai tha se situata e krijuar nuk është shkaktuar prej tij apo avokatit të tij, ndërsa theksoi se mbrojtësi ndodhet përballë një konflikti mes gjykatës dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Meta u shpreh se avokati nuk mund të rrezikojë licencën e tij dhe se ndryshimi i mbrojtësit do t’i kushtonte kohë shtesë, duke qenë se ka marrë tashmë 55 fashikuj për përgatitjen e mbrojtjes.
Pas shtyrjes së seancës, Monika Kryemadhi foli për mediat, duke komentuar situatën e procesit gjyqësor dhe zhvillimet e fundit që lidhen me ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni, dhe ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Kryemadhi deklaroi se ka qenë kundër bojkotit, por sipas saj rrethanat kanë bërë që të vijojë kjo situatë. Ajo tha se çdo shtyrje e procesit është në dëm të Ilir Metës, ndërsa ngriti akuza edhe ndaj institucioneve shtetërore.
Duke iu referuar rastit të Vlorës Hyseni dhe Ergys Agasit, Kryemadhi tha se SHISH është përdorur, sipas saj, për ndjekjen e personave që ishin kundër qeverisë.
“Kam qenë një personazh i politikës kundër bojkotit, por e detyruar nga rrethanat detyrohesh të vijoshm. Nëse ju kujtohet djegia e mandateve që kishte pasoja fatale, që solli që SHISH është në shërbim të krimit të organizuar dhe fik radarët. Për një rrahje zemre fik radarët, imagjino për ndonjë anije apo nëndetëse ç’mund të bëhet”, u shpreh Kryemadhi.
“Karma is a Bitch, e patë si ishte bërë si pikëpyetje Ilir Proda, se qeshte dhe vuri kamera atëherë të filmohej arrestimi i Metës, apo Vlora Hyseni që vuri SHISH-in në funksion të ndjekjes të kujtdo që ishte kundër Ramës, Gysit dhe të gjithë çunave që ishin kundër Gysit”,- shtoi Kryemadhi.










