Pas vrasjes së 44-vjeçarit me armë zjarri dhe plagosjes së një 73-vjeçari, i cili mbeti i lënduar rastësisht, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një analizë me strukturat e Komisariatit të Sarandës.
Në fokus të takimit ka qenë zbardhja e ngjarjes së rëndë të ndodhur paraditen e sotme, por edhe situata kriminale në të gjithë zonën.
Hita u ka kërkuar efektivëve hetime të shpejta dhe të thelluara, ndërsa ka urdhëruar një evidentim të konflikteve të hapura, personave me precedent kriminal dhe grupeve që veprojnë në Sarandë dhe zonat përreth.
Sipas tij, hetimet nuk duhet të kufizohen vetëm te ngjarja e sotme, por duhet të shtrihen edhe te dosjet e ngjarjeve të mëparshme kriminale.
“Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara. Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre”, deklaroi Hita.
Drejtori i Përgjithshëm bëri të ditur gjithashtu se Policia do të forcojë strukturat që merren me hetimin e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar, duke premtuar shtim të burimeve njerëzore dhe mbështetje logjistike.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit për gjetjen e autorit apo autorëve të ngjarjes, kontrollet po kryhen edhe me ndihmën e dronëve në zona të ndryshme të Sarandës dhe Delvinës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon mbledhjen dhe administrimin e provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të vrasjes dhe identifikimin e autorëve.











