30 vatra zjarri janë regjistruar gjatë ditës së sotme në territorin e Shqipërisë, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive, sipas përmbledhjes së situatës së emergjencave.
Nga bilanci i raportuar, 10 vatra zjarri janë aktualisht nën mbikëqyrje, ndërsa 13 janë shuar plotësisht pas ndërhyrjes së forcave operacionale.
Vatrat aktive
Në Qarkun e Tiranës, vatra më problematike vijon të jetë ajo në Malin e Dajtit, ku puna për izolimin dhe kontrollin e flakëve ka vazhduar gjatë gjithë ditës. Në operacion janë angazhuar 25 zjarrfikës, 7 forca të Administratës së Zonave të Mbrojtura, si dhe 52 efektivë të Forcave të Armatosura me 6 mjete dhe një autoambulancë.
Sipas autoriteteve, zjarri në Malin e Dajtit nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, vatrat në Malin e Bërzhitës dhe Mali me Gropa janë izoluar dhe vijojnë të mbahen nën monitorim nga ekipet në terren.
Situata e zjarreve mbetet nën monitorim, ndërsa forcat operacionale vijojnë ndërhyrjet për shuarjen e vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.











