Shpronësimi mund ta shuajë konfliktin mes Luan Muçës dhe Vasil Bedinajt, por nuk zhduk pyetjen se si institucionet shtetërore regjistruan pretendime pronësie të mbivendosura dhe lejuan zhvillimin e një projekti ndërtimi mbi një tokë të kontestuar. Në fund, faturën e gabimeve të shtetit rrezikon ta paguajë përsëri publiku.
Vetëm një ditë pasi konflikti për një tokë në Palasë përfundoi me njerëz të armatosur, të shtëna, ndjekje policore dhe arrestime, kryeministri Edi Rama doli me një zgjidhje. Ai tha se toka e pretenduar nga biznesmenët Luan Muça dhe Vasil Bedinaj do të shpronësohet dhe do të kthehet në hapësirë publike.
Në pamje të parë, ndërhyrja e qeverisë mund të paraqitet si një zgjidhje në interes të qytetarëve. Dy biznesmenët kompensohen, konflikti shuhet dhe publiku përfiton një hapësirë të re.
Por pas këtij njoftimi fshihen dritëhijet e një skandali se përse duhej të ndodhte një përplasje e armatosur që shteti të zbulonte se mbi të njëjtën tokë ekzistonin pretendime pronësie nga dy biznesmenë.
Sipas të dhënave të bëra publike deri tani, konflikti e ka origjinën te një sipërfaqe toke në Palasë, mbi të cilën pretendojnë pronësi dy palë të ndryshme.
Fillimisht, Luan Muça rezulton se ka siguruar dokumentacion pronësie për tokën ku parashikohej zhvillimi i një resorti turistik. Më pas, edhe Vasil Bedinaj ka blerë dhe regjistruar një sipërfaqe ngjitur, një pjesë e së cilës dyshohet se mbivendoset me pronën e pretenduar nga Muça.
Nëse dokumentet e publikuara dhe pretendimet e palëve konfirmohen nga hetimi, atëherë nuk kemi vetëm një konflikt mes dy biznesmenësh. Kemi një skandal të rëndë shtetëror.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës është institucioni që administron regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Vetë ASHK-ja deklaron zyrtarisht se është institucion publik në varësi të Kryeministrit.
Kjo do të thotë se institucioni nën varësinë e drejtpërdrejtë të Edi Ramës duhet të shpjegojë se si u regjistruan tituj apo pretendime pronësie që dyshohet se mbivendosen mbi të njëjtën sipërfaqe.
Skandali bëhet edhe më i rëndë nëse rezulton se mbi tokën e kontestuar është miratuar edhe leje zhvillimi apo ndërtimi.
Edi Rama është kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, organit që vendos për lejet e projekteve komplekse, investimeve strategjike dhe zhvillimeve me rëndësi kombëtare.
Sipas faqes zyrtare të planifikimit të territorit, KKTU-ja është autoriteti përgjegjës për lejet e zhvillimit dhe ndërtimit për projektet komplekse dhe investimet strategjike. Ndërsa ligji nr. 107/2014 përcakton se ky këshill funksionon pranë Këshillit të Ministrave dhe kryesohet nga Kryeministri.
Pra, përgjegjësia politike e drejtëpërdrejtë e Ramës, nuk mund të fshihet pas një sporteli lokal të Kadastrës.
Nëse KKTU-ja ka miratuar një projekt mbi një pronë për të cilën ekzistonin dy dokumente ose pretendime të mbivendosura, atëherë duhet hetuar i gjithë zinxhiri institucional: nga regjistrimi në Kadastër, te shqyrtimi tekniko-ligjor dhe deri te vendimmarrja përfundimtare e këshillit të kryesuar nga Rama.
Një leje ndërtimi për një investim me vlerë të madhe nuk mund të jepet pa kontrolluar më parë pronësinë e tokës. Nëse ky kontroll është kryer dhe më pas është fshehur, atëherë kemi të bëjmë me një vepër penale, ku më e pakta është shpërdorimi i detyrës.
Pikërisht ky kaos institucional krijoi kushtet që mosmarrëveshja të dilte nga zyrat e Kadastrës dhe të përfundonte mes njerëzve të armatosur. Dy biznesmenë mund të humbnin jetën për një tokë që shteti ua kishte njohur, në forma të ndryshme, të dyja palëve.
Prandaj shpronësimi është shpëtimi i Ramës dhe zgjidhja më e leverdisshme për qeverinë e tij
Konflikti mes palëve shuhet, pretenduesit marrin kompensim nga taksat e qytatarëve dhe në fund toka kalon në pronësi të shtetit.
Ndërsa Rama shfaqet jo si drejtuesi i institucioneve që duhet të kishin parandaluar skandalin, por si njeriu që ndërhyn për ta zgjidhur atë.
Në këtë mënyrë, një histori për dështimin e Kadastrës dhe për një leje potencialisht problematike transformohet në një histori suksesi për “rikthimin e hapësirës publike”.
Por shpronësimi nuk mund të shërbejë si gomë për të fshirë të shkuarën.
Përpara shpronësimit duhet të bëhen publike të gjitha dokumentet si kartelat e pronësisë, hartat dhe koordinatat kadastrale, datat e regjistrimeve, aplikimet për zhvillim, relacionet tekniko-ligjore dhe vendimet e KKTU-së.
Duhet të përcaktohet se cili institucion gaboi, kush firmosi dhe kush përfitoi.
Sepse me shpronësimin e tokës Edi Rama mund të ketë shmangur një konflikt të ri mes dy biznesmenëve. Por, mbi të gjitha, ka gjetur rrugën më të shpejtë për ta larguar vëmendjen nga përgjegjësia e institucioneve që varen prej tij.
Ai nuk shpjegon se si u krijuan dokumentet e pronësisë. Nuk përcakton se cili titull ishte i ligjshëm. Nuk zbulon përgjegjësit e mbivendosjes dhe nuk tregon mbi çfarë dokumentacioni u miratua leja e ndërtimit.
Mbi të gjitha, shpronësimi nuk mund dhe nuk duhet të ndalojë një hetim penal ose administrativ. Nëse ka pasur falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre apo ndërhyrje të paligjshme në regjistrat e pronës, kompensimi i palëve nuk i shuan këto vepra.
Në fund të kësaj historie ekziston edhe një paradoks financiar.
Institucionet e drejtuara politikisht nga e njëjta qeveri lejuan zhvillimin e projekteve mbi pronën e kontestuar. Ndërsa tani është përsëri shteti që do të përdorë paratë e taksapaguesve për shpronësimin dhe kompensimin.
Pra, qeveria gabon, biznesmenët konfliktohen dhe qytetarët paguajnë faturën.
Dhe kështu, duke e kthyer tokën në hapësirë publike, Rama nuk shpëtoi vetëm Palasën nga një konflikt pronësie.
Shpëtoi veten nga skandali që mund të hapte kutinë e zezë të Kadastrës dhe të lejeve të ndërtimit në bregdetin shqiptar.
Vox News










