Pas rreth shtatë orësh diskutime, ka përfunduar mbledhja e kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare, e zhvilluar këtë të diel në Pogradec.
Mësohet se gjatë mbledhjes janë diskutuar dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, ndërsa një pjesë e rëndësishme e takimit i është kushtuar reformës territoriale dhe projektit për shkrirjen e disa bashkive.
Sakaq, të pranishmit kanë paraqitur sugjerimet e tyre lidhur me përmbajtjen e dokumentit dhe mënyrën e zbatimit të tij në terren.
Gjatë mbledhjes, kryeministri Rama është ndalur veçanërisht te roli dhe përgjegjësitë që duhet të ketë secili prej drejtuesve në nivel rajonal, duke përfshirë ministrat, drejtuesit politikë, deputetët dhe drejtuesit e institucioneve lokale.
Rama ka kërkuar nga drejtuesit politikë në zonat që preken nga reforma të analizojnë arsyet e kundërshtimit dhe revoltës së qytetarëve.
Në takim është diskutuar edhe për zgjedhjet lokale të vitit 2027. Mësohet se Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë të nisin që tani identifikimin e kandidatëve, duke vendosur theksin te figura që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me komunitetet.
Sakaq, kreu i qeverisë do të mbledhë të hënën edhe ministrat në atë që njihet si një “retreat”, ku pritet që të bëjnë një bilanc pune për secilin dikaster, por edhe për prioritetet në vitin e dytë të mandatit të katërt.











