Policia greke po mbledh prova të reja për të hedhur dritë mbi vrasjen e 45-vjeçares me origjinë shqiptare në Nea Smirni, e cila u qëllua për vdekje nga një 48-vjeçar, gjithashtu me origjinë shqiptare, i cili më pas kreu vetëvrasje.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë me detaje orët e fundit para krimit dhe të përcaktojnë marrëdhënien që ekzistonte mes dy personave. Sipas informacioneve të publikuara nga protothema.gr, 48-vjeçari ishte i martuar dhe kishte një fëmijë. Bashkëshortja e tij, sipas dëshmisë së dhënë para autoriteteve, ka deklaruar se nuk kishte dijeni për ndonjë marrëdhënie që ai mund të kishte pasur me viktimën.
Policia po shqyrton mundësinë që mes 48-vjeçarit dhe 45-vjeçares të ketë pasur një marrëdhënie personale. Megjithatë, natyra, kohëzgjatja dhe intensiteti i saj ende nuk janë përcaktuar. Pikërisht zbardhja e kësaj marrëdhënieje konsiderohet një nga elementet kryesore për të kuptuar motivin e krimit.
Kontroll në banesën e 48-vjeçarit
Në kuadër të hetimeve, policia ka kryer kontroll në banesën e 48-vjeçarit në Tavros. Hetuesit po kërkojnë pajisje elektronike, dokumente dhe çdo provë tjetër që mund të ndihmojë në rindërtimin e lëvizjeve të tij të fundit dhe kontakteve që ka pasur para se të shkonte në Nea Smirni.
Në të njëjtën kohë, po analizohen telefonat celularë dhe aktiviteti online i të dy personave. Hetuesit duan të përcaktojnë nëse para krimit ka pasur mes tyre ndonjë konflikt, takim apo komunikim që mund të lidhet me ngjarjen tragjike.
Nëna e 45-vjeçares në gjendje shoku
Ndërkohë, nëna e 45-vjeçares ndodhet në gjendje të rëndë emocionale pas vrasjes së vajzës së saj. Ajo mësoi për ngjarjen nga vajza tjetër, e cila e telefonoi për t’i komunikuar lajmin e rëndë.
E përlotur dhe në gjendje shoku, nëna e viktimës u është përgjigjur gazetarëve duke përsëritur: “Nuk di asgjë”. Ajo ka deklaruar se vajza e saj nuk i kishte treguar për ndonjë lidhje romantike që mund të kishte pasur.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht marrëdhënien mes dy personave dhe motivin që çoi në ngjarjen e rëndë në Nea Smirni.











