Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor janë faktori kryesor pas temperaturave rekord të deteve rreth Europës, paralajmërojnë shkencëtarët. Sipas tyre, nxehtësia ekstreme po sjell pasoja të rënda për ekosistemet detare dhe komunitetet bregdetare.
Edhe detet e Europës nuk i kanë shpëtuar valës së të nxehtit që ka përfshirë shumë vende këtë verë.
Në korrik, temperatura mesatare e Detit Mesdhe arriti në 27 gradë Celsius, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për muajin korrik. Ndërkohë, në fillim të gushtit, pranë ishullit të Majorkës temperaturat kapën 33 gradë Celsius.
Sipas një analize të grupit World Weather Attribution (WWA), ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu kanë shtuar rreth 2 gradë Celsius në temperaturën e Mesdheut dhe rreth 1.4 gradë Celsius në temperaturat e deteve të Europës Perëndimore.
Shkencëtarët paralajmërojnë se këto temperatura mund të ndryshojnë në mënyrë të thellë ekosistemet nga të cilat komunitetet bregdetare varen për ushqim dhe të ardhura, si dhe të ndikojnë në përkeqësimin e fenomeneve ekstreme të motit në tokë.
Analiza e WWA ka arritur në përfundimin se temperaturat rekord të regjistruara këtë vit në pjesët lindore dhe perëndimore të Mesdheut, si dhe përgjatë Gjirit të Biskajës dhe brigjeve të Gadishullit Iberik, do të ishin “pothuajse të pamundura” pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.
Në Detin Keltik, mes Britanisë dhe Irlandës, temperaturat më ekstreme të regjistruara këtë vit do të priteshin vetëm rreth një herë në shekull në një botë pa ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor.
Detet më të ngrohta rrisin lagështinë dhe temperaturat gjatë natës në zonat bregdetare, ndërsa mund të kontribuojnë edhe në formimin e stuhive më të fuqishme gjatë pjesës së dytë të vitit.
Emetimet e gazeve serrë, kryesisht nga djegia e lëndëve fosile, kanë bërë që temperatura mesatare e planetit të jetë rreth 1.4 gradë Celsius më e lartë se në periudhën paraindustriale, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike.
Rritja e temperaturës bazë të planetit bën që sistemet atmosferike me presion të lartë, të cilat lidhen me valët e të nxehtit, të arrijnë temperatura edhe më të larta.
Rritja e menjëhershme e temperaturave të detit mund të shkaktojë ngordhje masive të specieve, përfshirë koralet, dhe të çrregullojë burimet ushqimore për shpendët dhe gjitarët detarë, duke shkaktuar pasoja në të gjithë zinxhirin ushqimor.
John Bruno, ekolog detar në Universitetin e Karolinës së Veriut, tha se disa specie po zhvendosen drejt veriut në kërkim të ujërave më të freskëta, por jo të gjitha kanë aftësinë të përshtaten.
Sipas tij, shumë specie po i afrohen me shpejtësi kufijve biologjikë të përshtatjes.
Analiza e WWA tregon gjithashtu se rreth 90% e Gjirit të Biskajës dhe 80% e Mesdheut Perëndimor kanë përjetuar këtë vit kushte të valëve të të nxehtit detar. Pa ngrohjen globale, kjo përqindje do të ishte rreth 40%.











