Situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim deri në orën 20:00, ndërsa nga 7 vatra të regjistruara, 4 vijojnë të jenë aktive dhe 3 janë nën monitorim.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në terren po vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e vatrave, ndërsa Forcat e Armatosura janë angazhuar me 140 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Vatrat kryesore aktive janë në Dajt të Tiranës, Lufaj të Mirditës dhe në malin e Tërbunit në Pukë.
Në Dajt po punohet për izolimin e zjarrit me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Priskë një vatër është riaktivizuar, por po monitorohet nga forcat operacionale dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Në Lufaj të Mirditës, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe me avancim të lehtë. Forcat janë pozicionuar pranë zonës, ndërsa edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat.











