Davide Frattesi dëshiron të largohet nga Interi dhe do ta mirëpriste një transferim te Juventusi, ku mund të punonte sërish me Luciano Spallettin.
Mesfushori ka pasur pak hapësira nën drejtimin e Cristian Chivut, ndërsa Spalletti e vlerëson që nga periudha e tyre te kombëtarja italiane. Megjithatë, marrëveshja nuk pritet të jetë e thjeshtë, pasi Juventusi ka shumë lojtarë në mesfushë dhe fillimisht duhet të largojë disa prej tyre.
Mes klubeve është diskutuar edhe mundësia e një shkëmbimi kokë më kokë mes Frattesit dhe Nico Gonzálezit, pa pagesa shtesë.
Interi mund ta lejojë largimin e italianit edhe në formë huazimi, por vetëm nëse marrëveshja përfshin mundësinë e blerjes së tij në vitin 2027. Zikaltrit po presin gjithashtu zhvillimet për Curtis Jones të Liverpoolit.











