Kristian Prenga ishte shumë pranë një prej surprizave më të mëdha në boksin e peshave të rënda, por Anthony Joshua përdori përvojën e tij për ta përmbysur sfidën dhe për ta mbyllur me nokaut në raundin e dytë.
Boksieri shqiptar hyri në ring pa frikë dhe e vendosi menjëherë ish-kampionin e botës nën presion. Me goditje të forta dhe ritëm të lartë, Prenga e rrëzoi disa herë britanikun gjatë tre minutave të para, duke fituar bindshëm raundin e parë.
Joshua u duk në vështirësi të mëdha, ndërsa gongu i dha mundësinë të merrte frymë dhe të riorganizohej. Paraqitja e Prengës befasoi publikun në Xhedah dhe krijoi bindjen se një rezultat historik ishte shumë pranë.
Kliko këtu për të parë videon e raundit të parë
Në raundin e dytë, Joshua u rikthye më i kujdesshëm dhe nisi ta kontrollonte më mirë distancën. Britaniku uli ritmin e kundërshtarit dhe filloi të gjente hapësira me kombinime më të sakta.
Momenti vendimtar erdhi pas një goditjeje të fortë me të djathtën, e cila e lëkundi Prengën. Joshua vazhdoi sulmin dhe një tjetër goditje e pastër e dërgoi shqiptarin në tapet, duke detyruar arbitrin ta ndalte duelin.
Pavarësisht humbjes, Prenga zhvilloi një paraqitje të madhe dhe tregoi se mund të rivalizojë me emrat më të njohur të divizionit. Raundi i parë ndaj Joshua-s do të mbetet një nga momentet më mbresëlënëse të karrierës së tij.
Për britanikun, kjo fitore e rikthen në garë për përballjet e mëdha, ndërsa Prenga largohet me respektin e fituar pas një performance që për disa minuta bëri të ëndërronin të gjithë tifozët shqiptarë.











