Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, njëkohësisht kreu i grupit parlamentar, është përjashtuar nga kryeparlamentari Niko Peleshi gjatë seancës së sotme, teksa votohej për të gjithë pikat e rendit të ditës për shkak të bllokadës së foltores që bëri opozita.
Gjatë momentit të votimit të mazhorancës me procedurë të përshpejtuar dhe pa diskutime, opozita shkaktoi debate, zhurmë duke i rënë tavolinave dhe duke hedhur akuza.
Më aktivi ka qenë deputeti Bardhi, i cili i ka kërkuar Ramës dorëheqjen në sy, vetëm pak metra larg tij në seancë. Në një moment ai tentoi ta lagte me ujë kryeministrin dhe kjo nuk kaloi pa u ndëshkuar.
Kryeparlamentari Niko Peleshi ndërhyri dhe njoftoi përjashtimin e Bardhit.
“Zoti Bardhi, je i përjashtuar nga seanca, ju përjashtoj, largohuni nga salla”, tha ai.
Gjatë votimit pati përsëri ndërprerje për 5 minuta, pas kërkesës së Taulant Ballës në lidhje me një nga amendamentet e radhës, pasi kërkoi konsultim me grupin.











