66-vjeçari Irakli Çinoku u gjet i pajetë brenda një automjeti që u përfshi nga flakët mëngjesin e kësaj të hëne në lagjen nr. 10 të Korçës.
Sipas të dhënave, mësohet se viktima jetonte momentalisht vetëm pasi ka pasur probleme në familje me bashkëshorten e tij.
Kjo e fundit ka shkuar në Greqi për të jetuar me dy fëmijët që ka çifti.
Viktima ka lënë një shënim para ndërmarrjes së aktit të rëndë duke i vënë flakën mjetit e duke u vetëflijuar.
Në shënimin e gjetur nga policia, mësohet se viktima ka shkruar “Po iki se nuk jam sjellë mirë me familjen”.
Dyshohet se kjo ka qenë arsyeja që 66-vjeçari i dha fund jetës, pasi ndihej fajtor për marrëdhënien jo të mirë brenda familjes. Policia vijon ende hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 08:40, në lagjen nr. 10, Korçë, një automjet tip “Benz” është përfshirë nga flakët.
Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se brenda automjetit, në sediljen e parë të pasagjerit, ndodhej pa shenja jete shtetasi I. Ç., rreth 66 vjeç.
Nga veprimet dhe informacionet paraprake dyshohet se shtetasi mund të jetë vetëdjegur brenda automjetit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.











