Një gazetar sportiv është gjetur i vrarë dhe i djegur në një zonë bujqësore në Eboli, pranë Salernos, në jug të Italisë. Viktima është identifikuar si Luigi Esposito, 53 vjeç, punonjës i Agjencisë Rajonale të Mjedisit dhe bashkëpunëtor i disa mediave lokale.
Trupi i karbonizuar u zbulua nga zjarrfikësit gjatë shuarjes së një zjarri në shkurre. Fillimisht, për shkak të dëmtimeve të rënda nga flakët, identifikimi ishte i pamundur. Hetimet morën drejtim tjetër pasi pranë vendit të ngjarjes u gjet automjeti i viktimës.
Sipas hetuesve, Esposito dyshohet se është qëlluar me armë zjarri dhe më pas trupit i është vënë flaka. Në vendngjarje karabinierët gjetën disa gëzhoja, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes dhe rrethanat e krimit.
Luca Esposito ishte i njohur në botën e sportit si bashkëpunëtor i gazetës La Città di Salerno, televizionit Ottochannel dhe themelues i portalit sportiv Tuttosalernitana.com. Ai kishte diplomë në biologji dhe një diplomë të dytë në letërsi.
Prokuroria e Salernos, nën drejtimin e Raffaele Cantone, ka nisur hetimet dhe po shqyrton të gjitha pistat për të zbuluar autorët dhe motivin e vrasjes.










