Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) një kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama, lidhur me atë që e cilëson si afera “Albanian Files”.
Kallëzimi është dorëzuar nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe sipas demokratëve lidhet me dyshimet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në formën e bashkëpunimit si “Grup i Strukturuar Kriminal”.
Në kallëzimin e paraqitur në SPAK, PD i referohet librit “The Albanian Files – Freedom and Architecture”, i botuar nga shtëpia botuese “Lars Müller Publishers”, me redaktim të shkrimtares Anneke Abhelakh dhe parathënie nga Edi Rama.
Sipas Partisë Demokratike, përmbajtja e këtij botimi ngre dyshime për një skemë ku kryeministri, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), ka ndikuar në përzgjedhjen e studiove ndërkombëtare të arkitekturës dhe lidhjen e tyre me investitorë shqiptarë për projekte të mëdha ndërtimi.
PD pretendon se disa studio arkitekturore ndërkombëtare janë kontaktuar dhe orientuar drejt projekteve të caktuara, ndërsa investitorët kanë përfituar më pas leje zhvillimi dhe ndërtimi për kulla, hotele dhe resorte në Tiranë dhe zona bregdetare.
PD ngre gjithashtu pretendime për projekte në zona të mbrojtura natyrore, duke argumentuar se ndryshimet ligjore të mëvonshme kanë krijuar dyshime se investitorët mund të kenë pasur informacion paraprak për mundësinë e zhvillimit të ndërtimeve në këto zona.
Në dokumentin e dorëzuar në SPAK, Partia Demokratike pretendon se kjo veprimtari përbën elementë të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, duke kërkuar nisjen e hetimeve për përgjegjësitë e mundshme penale.











