Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken, ka pranuar se Anglia është favorite për t’u kualifikuar në gjysmëfinalet e Kupës së Botës, por sipas tij diferenca mes dy skuadrave nuk është aq e madhe sa mund të mendohet.
Anglia dhe Norvegjia do të përballen në Miami, në një çerekfinale shumë të rëndësishme. Norvegjezët vijnë me moral të lartë pas eliminimit të Brazilit në raundin e kaluar, ndërsa anglezët kaluan Meksikën pas një ndeshjeje të vështirë.
“Ata janë favoritë, por jo favoritë shumë të mëdhenj”, u shpreh Solbakken për BBC Sport.
Trajneri norvegjez shtoi se Anglia ka më shumë presion në këtë përballje, por theksoi se edhe skuadra e tij kërkon shumë nga vetja.
“Mendoj se Anglia ka më shumë presion se ne. Por edhe ne vendosim presion mbi paraqitjen tonë. Sapo ndeshja fillon, nuk besoj se lojtarët mendojnë më për presionin”, deklaroi ai.
Vëmendja kryesore e kësaj sfide është përqendruar te dueli mes Erling Haaland dhe Harry Kane. Sulmuesi norvegjez ka shënuar shtatë gola në këtë Botëror, ndërsa kapiteni i Anglisë ka realizuar gjashtë herë në pesë ndeshje.
Megjithatë, Solbakken nuk dëshiron që ndeshja të shihet vetëm si një përballje mes dy bomberave.
“Nuk është Haaland kundër Kane, është Norvegji kundër Anglisë. Natyrisht, Kane është lojtari kryesor për Anglinë dhe Erling është lojtari ynë kryesor, por do të ishte gabim të nënvlerësoheshin lojtarët e tjerë”, tha trajneri.
Norvegjia po jeton një Botëror historik. Kjo është pjesëmarrja e saj e parë që nga viti 1998 dhe tashmë ka arritur më larg se kurrë më parë, duke mposhtur gjatë rrugës skuadra si Iraku, Senegali, Bregu i Fildishtë dhe Brazili.
Solbakken vlerësoi shumë edhe Anglinë, duke përmendur lojtarë si Jude Bellingham, Harry Kane, Declan Rice dhe Elliot Anderson. Sipas tij, skuadra e Thomas Tuchel ka shumë zgjidhje në sulm dhe një mesfushë të qëndrueshme.
Fituesi i kësaj çerekfinaleje do të përballet në gjysmëfinale me Argjentinën ose Zvicrën, për një vend në finalen e madhe të 19 korrikut.










