Inter dhe Como kanë vendosur të ruajnë marrëdhënie të mira në merkato, edhe pse të dy klubet kanë disa objektiva të përbashkët. Në qendër të vëmendjes është Trevoh Chalobah, mbrojtësi i Chelsea që pëlqehet nga të dyja palët.
Sipas raportimeve, Beppe Marotta dhe Mirwan Suwarso kanë zhvilluar një bisedë telefonike për të sqaruar pozicionet e klubeve në merkato. Qëllimi është i qartë: të shmangen ankandet e panevojshme, përplasjet me oferta dhe tensionet mes dy klubeve.
Como kishte bërë më parë një ofertë rreth 25 milionë euro për Chalobah, por Chelsea e refuzoi. Megjithatë, anglezi ndiqet edhe nga Interi, që po e monitoron situatën me kujdes.
Suwarso i ka bërë të ditur Marottas se Como nuk ka ndërmend të hyjë në një garë ofertash për lojtarin. Nëse Inter vendos të lëvizë seriozisht për Chalobah, atëherë Como do të tërhiqet dhe do të përqendrohet te alternativa të tjera.
Për momentin, zikaltërit janë të fokusuar te operacioni Khalaili dhe do të kthehen te mbrojtja vetëm pasi të zgjidhin çështjet në krahun e djathtë. Kjo do të thotë se pista Chalobah nuk është mbyllur, por thjesht është lënë në pritje.
Inter po punon me rrethin e lojtarit për të arritur fillimisht një marrëveshje personale, përpara se të dërgojë një ofertë zyrtare te Chelsea. Një tjetër faktor që mund ta afrojë Chalobah me Milanon është dëshira e Chelsea për të përforcuar mbrojtjen me Maxence Lacroix të Crystal Palace.
Për momentin, një gjë duket e sigurt: Inter dhe Como nuk do të luftojnë kundër njëri-tjetrit në merkato. Një pakt që mund të ndihmojë të dy klubet të shmangin tensionet dhe të lëvizin më qartë në javët e ardhshme.









