Geovany Quenda është zyrtarisht lojtar i Chelsea. Talenti portugez, i konsideruar si një nga emrat më premtues të brezit të Lamine Yamal, i bashkohet londinezëve pas konfirmimit të marrëveshjes së arritur më herët me Sporting Lisbonën.
19-vjeçari vjen te Chelsea si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv të skuadrës së Xabi Alonsos, që pritet të jetë një nga pretendentët kryesorë në Premier League sezonin e ardhshëm.
I lindur në Bissau, por i natyralizuar si portugez, Quenda është një anësor i majtë me shumë potencial. Ashtu si Lamine Yamal, ai është pjesë e një brezi të ri talentesh që po tërheqin vëmendjen e futbollit europian, edhe pse profili i tij është më fizik, më shpërthyes dhe i fortë në duelet një kundër një.
Te Sporting Lisbona, Quenda u kthye në titullar të rëndësishëm në dy sezone radhazi, duke qenë pjesë e një periudhe shumë pozitive për klubin portugez. Paraqitjet e tij i kanë sjellë edhe ftesën nga kombëtarja e Portugalisë, ndonëse ende nuk ka debutuar.
Me ardhjen e tij, Xabi Alonso fiton një lojtar që i jep gjerësi sulmit dhe rrezik të vazhdueshëm nga krahu. Quenda pritet të konkurrojë me Estevao, një tjetër talent i madh i Chelsea, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që njëri prej tyre të zhvendoset në krahun tjetër.
Transferimi i Quendas jep gjithashtu sinjale për idetë taktike të Xabi Alonsos. Me këtë profil lojtari, trajneri duket se mund të largohet nga sistemi me mbrojtës krahu që përdori me sukses te Leverkusen, duke kërkuar më shumë gjerësi në sulm përmes anësorëve klasikë.
Misioni i Xabit te Chelsea është i qartë: të rikthejë skuadrën në zonën e Champions League dhe t’i japë sërish konkurrueshmëri një ekipi që sezonin e kaluar mbeti pas pritshmërive.









