Kryeministri Edi Rama ka komentuar incidentet para Kuvendit, ku protestuesit goditën me vezë makinat e deputetëve dhe u përplasën me forcat e policisë.
Në një bashkëbisedim me pensionistët, Rama u shpreh se protestuesit paqësorë duhen ndarë nga ata që, sipas tij, ushtrojnë dhunë dhe presion. Ai përdori edhe gjuhë metaforike për të përshkruar situatën, duke i krahasuar një pjesë të protestuesve me “sorra” dhe “korba”, ndërsa tha se të tjerët janë paqësorë dhe duhen trajtuar me respekt.
“Kur shkon atje, një grup për të ushtruar presion fizik ndaj deputetëve, jemi në rrethana të tjera. Por ata nuk janë flamingo, ata janë paqësorë. Sorrat dhe korbat janë të dhunshëm. Flamingot do i trajtojmë me shumë respekt. Me sorrat dhe korbat nuk kemi çfarë bëjmë fare. Në fund ata do jenë përsëri të humbur. Do shpërndahen kokërr më kokërr”, tha Rama.











