Franca vazhdon të trembë rivalët në Kupën e Botës. Skuadra e Deschamps siguroi vendin e parë në grup pas një fitoreje bindëse ndaj Norvegjisë, në një ndeshje ku Ousmane Dembélé ishte protagonisti absolut me tre gola brenda gjysmë ore.
Pritshmëritë ishin të mëdha për duelin Mbappé-Haaland, por përballja e shumëpritur nuk ndodhi. Trajneri i Norvegjisë, Ståle Solbakken, vendosi të bëjë rotacione të shumta dhe la në stol Haaland, Odegaard, Sorloth dhe portierin titullar Nyland, duke menduar për fazën tjetër të turneut.
Franca, ndryshe nga kundërshtari, nuk kurseu forcat. Para nisjes së ndeshjes u mbajt një minutë heshtje për nënën e Didier Deschamps, e cila ishte ndarë së fundmi nga jeta. Trajneri francez ishte larguar përkohësisht nga grumbullimi për të marrë pjesë në funeral, ndërsa në stol vendin e tij e mori asistenti Guy Stéphan.
Në fushë, Franca e nisi menjëherë me ritëm të lartë. Mbappé goditi traversën që në minutat e para, ndërsa pak më vonë Dembélé zhbllokoi rezultatin me një goditje të fortë me të majtën nga hyrja e zonës.
Sulmuesi francez nuk u ndal me kaq. Pas një asisti nga Mbappé, ai shënoi edhe golin e dytë me një tjetër veprim cilësor nga distanca. Norvegjia reagoi shpejt dhe Aasgaard ngushtoi shifrat, duke përfituar nga një moment pasigurie në mbrojtjen franceze.
Megjithatë, Dembélé ishte në mbrëmjen e tij. Brenda gjysmë ore loje, ai kompletoi tripletën me një aksion të ngjashëm me golin e parë, duke i dhënë Francës kontroll të plotë të ndeshjes dhe duke heshtur kritikat ndaj tij.
Në pjesën e dytë, Norvegjia pati mundësinë të rikthehej në lojë, por Maignan ndali penalltinë e Larsen dhe korrigjoi gabimin e bërë në pjesën e parë. Nga ana tjetër, Mbappé kërkoi golin, por këtë herë nuk ishte dita e tij.
Dembélé u largua nga fusha mes duartrokitjeve të më shumë se 64 mijë tifozëve në Gillette Stadium, ndërsa në fund Doué vulosi fitoren me golin e katërt për Francën.
Haaland mbeti gjatë gjithë ndeshjes në stol, pavarësisht thirrjeve të tifozëve norvegjezë dhe francezë për ta parë në fushë. Solbakken nuk deshi të rrezikonte yllin e tij, duke pranuar praktikisht se prioriteti ishte faza tjetër.
Franca mbyll grupin si kryesuese dhe tashmë pret kundërshtarin në fazën e 1/16-ave, me statusin e një prej favoriteve kryesore për të fituar Kupën e Botës.










