Uruguai po përjeton momente tensioni vetëm pak orë para ndeshjes vendimtare ndaj Spanjës në Grupin H të Kupës së Botës. Sipas raportimeve nga ESPN Uruguay dhe SER Deportivos Mundial, disa lojtarë të rëndësishëm kanë kërkuar ndryshime nga Marcelo Bielsa, duke shprehur pakënaqësi për metodat e tij të stërvitjes.
Spanja dhe Uruguai përballen këtë të premte në një ndeshje që vendos fatin e grupit. Spanjollët kërkojnë fitoren për të siguruar vendin e parë dhe për të shmangur një përballje të mundshme të hershme me Argjentinën, ndërsa Uruguai ka shumë më tepër për të humbur.
Pas një starti të dobët në Botëror, skuadra e Bielsa ka nevojë për fitore për të mos u varur nga rezultati i ndeshjes mes Cape Verde dhe Arabisë Saudite. Pikërisht në këtë moment delikat, Federico Valverde, Manuel Ugarte, Rodrigo Bentancur dhe Sergio Rochet kanë zhvilluar një takim me stafin teknik.
Sipas raportimeve, lojtarët i kanë bërë të qartë stafit se nuk janë dakord me mënyrën si po zhvillohen stërvitjet.
“Kjo mënyrë stërvitjeje po na lodh, nuk mundemi më. Duam të ndryshojmë mënyrën si stërvitemi”, kanë thënë ata.
Gjithashtu, lojtarët kanë paraqitur edhe idenë e tyre për ndeshjen ndaj Spanjës, duke kërkuar një skuadër më të ulur në mbrojtje dhe një sistem të bazuar te kundërsulmet.
Por ajo që e ka ndezur më shumë situatën ka qenë përgjigjja e Marcelo Bielsa. Sipas ESPN Uruguay, trajneri argjentinas ka folur për më shumë se 40 minuta para grupit dhe ka përmendur edhe çështjen e kaluar me Luis Suárez.
“Ju u përpoqët të më largonit edhe për çështjen Suárez”, mësohet t’u ketë thënë Bielsa lojtarëve.
Ky reagim lidhet me polemikat e mëparshme me Luis Suárez, i cili pas largimit nga kombëtarja në vitin 2024 kishte folur për ndryshime negative në ambientin e Uruguait që prej ardhjes së Bielsa.
Trajneri nuk ka pranuar as idenë taktike të lojtarëve për ndeshjen ndaj Spanjës, duke këmbëngulur se dëshiron të luajë me një sistem pasqyrë ndaj skuadrës spanjolle.
Në fund të takimit, disa lojtarë nisën të largoheshin para se Bielsa të kishte përfunduar fjalën, një sinjal i qartë se marrëdhënia mes skuadrës dhe stafit teknik është shumë e tensionuar.
Nëse Uruguai eliminohet, aventura e Bielsa në krye të kombëtares mund të marrë fund. Kjo nuk do të ishte hera e parë që një skuadër e drejtuar prej tij largohet nga Botërori që në fazën e grupeve, pasi diçka e tillë ndodhi edhe me Argjentinën në Kupën e Botës 2002.











