Arsenal po shqyrton disa alternativa për të përforcuar mesfushën këtë verë, ndërsa dy emrat kryesorë në listën e londinezëve janë Bruno Guimarães dhe Sandro Tonali.
Sipas BBC Sport, “Topçinjtë” kanë zhvilluar bisedime paraprake me përfaqësuesit e të dy lojtarëve për të kuptuar kushtet e një marrëveshjeje të mundshme. Megjithatë, Newcastle nuk ka marrë ende një ofertë zyrtare nga Arsenal.
Klubi londinez kërkon të afrojë vetëm një mesfushor të rëndësishëm në këtë merkato. Përveç Guimarães dhe Tonalit, në listë janë edhe Alex Scott i Bournemouth dhe Ayyoub Bouaddi i Lille.
Newcastle nuk dëshiron të humbasë asnjërin prej dy lojtarëve kryesorë. Klubi ka refuzuar tashmë një ofertë rreth 80 milionë paund nga Tottenham për Tonalin, ndërsa Guimarães konsiderohet kapiten dhe një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës.
Tonali ka kontratë afatgjatë deri në vitin 2030, ndërsa Newcastle mund të kërkojë një shumë pranë 100 milionë paund për kartonin e tij. Nga ana tjetër, Guimarães ka edhe dy vite kontratë dhe aktualisht është i fokusuar te Brazili në Kupën e Botës.
Arsenal po punon në disa pista njëkohësisht para se të marrë vendimin final. Afrimi i një mesfushori të ri mund të sjellë edhe largimin e një lojtari nga skuadra aktuale, me Christian Norgaard që mund të dëgjojë ofertat.











